Debatet për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, Unioni i Gazetarëve dhe pedagogu: – Studentët kanë të drejtë në gjuhën amtare, nuk është luks

5 Prill 2026
Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut po përballet me disa debate të vazhdueshme, situatë që ka ngritur shqetësimin e Unionit të Gazetarëve shqiptarë dhe ish-udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të viteve të 90-ta në Kosovë dhe profesori universitar, Bujar Dugolli.
Dugolli ka deklaruar se pengimi i gjuhës shqipe mohon të drejtat natyrore të shqiptarëve si komb shtetformues.
“Studentët shqiptarë 🇦🇱 në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtë të japin provimet në gjuhën e tyre amtare.
Debati aktual mbi provimet e jurisprudencës tregon qartë një të vërtetë: shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë pakicë, por komb shtetformues. Çdo pengesë për t’i lejuar ata të studiojnë dhe të testohen në gjuhën amtare është mohim i të drejtave natyrore dhe kombëtare.
Ky debat shfaq edhe një herë se nacional-shovinizmi i udhëheqjes shtetërore maqedonase, fatkeqësisht, është i gjallë dhe po përpiqet të krijojë madje edhe konflikte, gjë që nuk duhet lejuar.
Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në nivel shteti, krahas asaj maqedonase. Nëse në Kosovë kemi lejuar këtë për vetëm 3% të pakicës serbe, pse në Maqedoninë e Veriut nuk funonon kjo, kur gati gjysma e popullsisë dhe territorit janë shqiptarë autoktonë?
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si ata në pushtet ashtu edhe ata në opozitë, duhet të jenë të bashkuar për të drejtat e barabarta në nivel vendi. Ajo që është arritur deri tani nuk është e mjaftueshme, dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë.
Edhe Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë, të ngrenë zërin dhe të reagojnë kundër qasjes diskriminuese dhe të padrejtë ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Një shtet anëtar i NATO-s dhe që pretendon të jetë anëtar i BE-së nuk mund të jetë diskriminues. Barazia gjuhësore dhe arsimore nuk është luks, është e drejtë, dhe vetëm kur kjo arrihet, Maqedonia e Veriut do të ketë një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagimin e plotë të tij.
Nga ana tjetër edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar rreth kësaj situate, duke e konsideruar situatën të papranueshme.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon me shqetësim ndaj situatës së krijuar në Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosrespektimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
Reagimi ynë vjen pas një vargu denoncimesh në spektrin multimediatik të vendit fqinj, pas shumë denoncimeve publike nga organizata dhe rrjete të shoqërisë civile si dhe personalitete të ndryshme nga shoqëria multietnike e këtij vendi.
UGSH e konsideron këtë sjellje dhe praktikë të moszbatimit të ligjit për gjuhën shqipe si akt goditës ndaj të drejtave themelore dhe sidomos parimeve të shtetit të të drejtave dhe kushtetutës së vendit.
Republika e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat për anëtar në BE, nuk ka se si të pranojë që në një shoqëri me bashkëjetesë etnike e drejta themelore për përdorimin e gjuhës është kriter kryesor. Ky kriter garantohet nga Kushtetuta dhe është bazik për ekzistencën e vetë republikës dhe mbarësisë së saj.
Praktikat dhe sjelljet e deritanishme të vërejtura në jetën publike, në procese administrative dhe sidomos në marrëdhëniet dhe komunikimet politike mes dy etnive, nga autoritete dhe përfaqësues politikë maqedonas, janë reminishenca të së shkuarës dhe dëshmi e ndërgjegjeve të molepsura nacionaliste.
UGSH u drejtohet mediave dhe kolegëve maqedonas në Maqedoninë e Veriut, të bëhen solidarë dhe mbështetës të këtij kriteri bazik të mishëruar në Kushtetutën e vendit, në përkrahje dhe respektim të gjuhës së shenjtë shqipe. Kërkojmë nga këta kolegë dhe mediat profesioniste në këtë vend, të denoncojnë dhe raportojnë me objektivitet rastet e përfaqësuesve të lartë institucionalë shtetërorë, përfshirë edhe anëtarë të kabinetit qeverisës, që e drejta ligjore e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë republikë të mos cënohet në asnjë rast dhe prej askujt.
Në këtë kuadër UGSH mbështet apelet dhe thirrjet për reagime të fuqishme publike nga qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas për këtë të drejtë ligjore dhe ekzistenciale në republikën fqinje.
Ne shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë ndaj protestës së paralajmëruar të studentëve. Ju bëjmë thirrje anëtarëve të organizatës sonë të bëhen pjesë e kësaj proteste për ta pasqyruar dhe raportuar atë në një spektër sa më të gjerë mediash kombëtare dhe ndërkombëtare.
UGSH përkrah Unionin e Studentëve Shqiptarë në këtë reagim dhe protestë të paralajmëruar sikundër, kërkojmë nga institucionet e larta të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësuesit e tyre në organizmat ndërkombëtare, të ngrenë zërin fuqishëm, duke kërkuar edhe hetimet e rasteve nga këto organizma, për garantimin dhe zbatimin e të drejtës themelore për gjuhën amtare të shqiptarëve, në vendin fqinj”, thuhet në reagimin e tyre.
