SPAK thërret anëtarët e komisionit të vlerësimit për Aeroportin e Vlorës: – Paracaktuan fituesit

5 Prill 2026
Prokuroria e Posaçme, ka nisur hetimet për tenderin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke thirrur për marrjen e dëshmive anëtarët e komisionit të vlerësimit, dy prej të cilëve janë marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera.
Raportohet se Prokuroria e Posaçme u ka komunikuar akuzat e para anëtarëve të Komisionit të Ofertave.
Sipas Balkan Web, ka dyshime të forta se procedurat e barazisë janë shkelur gjatë vlerësimit të ofertave dhe ekziston mundësia që fituesi i kontratës të jetë paracaktuar.
“SPAK, pasi gati një viti hetimesh, ka arritur në konkluzion dhe ka dyshime të forta se kontrata koncensionare për aeroportin e Vlorës është lidhur mbi bazën e shkeljes së barazisë në tendera dhe, po ashtu, rezulton sipas Prokurorisë se gara për shpalljen fituese të kompanive është e paracaktuar”, shkruan bw.
Hetimi njëvjeçar është drejtuar nga Prokurori i Posaçëm, Klodian Braho, i cili pak ditë më parë ka thirrur dhe u ka komunikuar akuzën për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera dy anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave
Sipas saj, nga hetimi ka rezultuar se gjatë vlerësimit të kompanive në garë është shkelur barazia dhe kompania fituese ka të gjitha gjasat të jetë e paracaktuar.
Koncensioni i aeroportit të Vlorës u vu nën hetim paraprak në korrik 2025 nga SPAK, pas një kërkese të një qytetari, emri i të cilit nuk u bë publik. / Bw
Nga: Gazeta Dita
