19 Shkurt 2024

Në historinë e njerëzimit besohet se pasuria e afrikanit Mansa Musa e kalon atë të milionerëve modernë.

Mansa Musa sundonte perandorinë e Malit në shekullin e 14-të dhe akumuloi sasi shumë të mëdha floriri.

Disa përllogaritje thonë se pasuria e perandorit të vjetër afrikan Mansa Musa, është ekuivalentja moderne e rreth 400 miliardë dollarëve të sotëm.

Në kohën kur sundonte Musa perandoria e Malit zgjeroi tregtinë e floririt dhe kripës. Musa vlerësohet gjithashtu për nxitjen dhe financimin e letërsisë dhe arsimit në vendin e tij.

Sipas rrjetit  History.com, Musa e kishte ekspozuar masën e pasurisë gjatë një pelegrimazhi në Mekë, ku rrethohej nga mijëra ushtarë e skllevër që mbanin sasi të mëdha floriri.

Ai la prapa flori e dhurata të shumta në Egjipt, por raportimet thonë se bollëku uli vlerën e floririt dhe shkaktoi pasoja për disa vite me radhë në ekonominë e vendit.