20 Maji 2025

Prej dekadash, mushkonjat kanë qenë në qendër të përpjekjeve globale për kontrollin e sëmundjeve infektive. Por ndërsa përfitimet shëndetësore nga zhdukja e një pjese të tyre janë të qarta, pasojat për ekosistemin mbeten një pikë debati mes shkencëtarëve.

Në vitin 1958, një lajm shpresëdhënës doli nga Brazili: Organizata Pan-Amerikane e Shëndetësisë (PAHO) shpalli zhdukjen e mushkonjës ‘Aedes aegypti’, vektorit të etheve të dengut dhe etheve të verdha, pas një fushate intensive që përfshinte heqjen e ujërave të ndenjura dhe përdorimin e insekticidit DDT.

Suksesi i fushatës shtrihej përtej kufijve të Brazilit, edhe vende si Argjentina, Paraguai dhe Bolivia e zhdukën përkohësisht këtë specie.

Megjithatë, fitorja rezultoi jetëshkurtër ‘aegypti’ nuk u zhduk kurrë plotësisht nga vende si Kolumbia dhe Gujana, dhe shpejt u rikthye, duke sjellë me vete një valë të re të sëmundjeve tropikale, përfshirë dengun dhe virusin Zika.

Për më tepër, përdorimi masiv i DDT pati pasoja të rënda mjedisore, duke dëmtuar biodiversitetin dhe ekosistemet ku ai u spërkat.

Në vend që të synojë eliminimin e mushkonjave, Programi Botëror i Mushkonjave (WMP), nën drejtimin e Scott O’Neill, po përdor një qasje inovative: infektimin e mushkonjave me bakterin simbiotik Wolbachia. Ky bakter pengon përhapjen e viruseve brenda trupit të mushkonjës, duke ulur aftësinë e saj për të transmetuar sëmundje.

Pasi mushkonjat me Wolbachia lirohen në mjedis, ato e përhapin bakterin natyrshëm dhe nuk kërkohet më ndërhyrje njerëzore,” shpjegon O’Neill. Rezultatet janë premtuese: në Indonezi, kjo teknikë uli rastet e etheve të dengut me 77%, ndërsa në Australi dhe Kolumbi, përhapja e sëmundjes ra ndjeshëm.

Edhe pse zhdukja e A. aegypti mund të mos trondiste ekosistemet, pasi jeton në qytete dhe ka pak lidhje me zinxhirin ushqimor, zhdukja totale e të gjitha specieve të mushkonjave do të kishte ndikim, sidomos në ushqimin e shpendëve, bretkosave dhe peshqve.

Disa lloje mushkonjash madje ndihmojnë në pjalmimin e bimëve, edhe pse pak specie varen vetëm nga to. Megjithatë, shkencëtarët bien dakord se ndikimi nuk do të ishte aq i madh sa humbja e bletëve, të cilat janë pjalmues jetësorë.

A. aegypti është buburreci i botës së mushkonjave”, thotë O’Neill, duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe aftësinë e jashtëzakonshme të përshtatjes së këtij insekti, i cili e ka bërë të pamundur eliminimin e tij.

Ndërsa shkenca përparon me qasje të reja biologjike si Wolbachia, lufta kundër mushkonjave si A. aegypti mbetet një sfidë afatgjatë. Qëllimi nuk është më zhdukja totale, por kontrolli inteligjent, që respekton balancat natyrore pa sakrifikuar shëndetin publik. Në këtë betejë delikate, inovacioni, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe respekti për natyrën janë armët më të forta që kemi.