“117”/ Dokumentari i Besim Sahatçiut shfaqet në Tiranë! Filmi sjell historinë e një familjeje me 117 anëtarë
Një dëshmi unike e jetës tradicionale shqiptare, një kujtesë vizuale për një mënyrë bashkëjetese që sot nuk ekziston më, por që vazhdon të jetojë përmes filmit dhe historisë së kinemasë mund të cilësohet filmi “117” i Besim Sahatçiut. I shfaqur në Tiranë në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës, dokumentari i restauruar paraqet stilin e jetesës së një familjeje shqiptare me 117 anëtarë, të cilët jetojnë të gjithë nën një kulm.
Filmi konsiderohet si një nga dokumentarët etnografikë më domethënës të rajonit. I pranishëm ishte kineasti Afrim Spahiu, drejtor i fotografisë së filmit, përfaqësues nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa Rita Ora, mbesa e regjisorit Besim Sahatçiu, përcolli përmes videos një përshëndetje speciale. Kineasti Afrim Spahiu rrëfen për “Report TV” se takimet e para me familjen e madhe, që u bë subjekt i filmit përbëjnë edhe sot kujtime të veçanta për të.
“Në kontaktet e para që i bëmë me familjen natyrisht u impresionuam për shumë detaje, të cilat u inkuadruan dhe u zhvilluan në një tërësi konceptuale të një filmi dokumentar të tipit etnografik. Ishte një ngjarje madhore për mua, ngase aspekti vizual në atë familje ishte real, ishte i çiltër, i pastër dhe mbi të gjitha spontan. Ky frymëzim i dha mundësi edhe regjisorit, supozoj, që ta bënte filmin ritmik.”, thotë Spahiu.
Brenda 24 orëve, grupi i punës arriti të regjistrojë jetën e kësaj familjeje me 117 anëtarë ndërsa regjisori vendosi që fotografia të fliste vetë, pa narracion, duke i dhënë filmit një ritëm dhe dimension artistik që e shndërroi në një vepër ikonike.
Filmi është realizuar nga “Kosova Film” në vitin 1976.

