Dërgesat humanitare nga Londra në Gaza vonohen më shumë se 1 vit

3 Dhjetor 2025
Britania ka kritikuar vonesat e shkaktuara nga bllokimet izraelite në pikat kufitare të Gazës, pasi një dërgesë me mbi 1,100 tenda për strehimin e civilëve mbërriti më shumë se një vit pas nisjes. Londra nëm thirrje për hapje të plotë të kufirit me qëllim që qytetarët të kenë akses edhe në ndihmat që vijnë nga organizata të tjera ndërkombëtare.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kritikuar vonesat e vazhdueshme në lejimin e ndihmave humanitare në Gazë, pasi një dërgesë me mbi 1,100 tenda të financuara nga Londra arriti në territor vetëm këtë javë, më shumë se një vit pas nisjes së saj.
Dërgesa e çadrave, ku secila mund të strehojnë një familje prej pesë anëtarësh, u konsiderua një zhvillim i rëndësishëm, por njëkohësisht një tregues i vështirësive të mëdha në transportimin e ndihmave.
Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, tha se situata humanitare në Gazë vazhdon të jetë “e tmerrshme”, pavarësisht armëpushimit aktual midis Izraelit dhe Hamasit.
Ajo paralajmëroi se kushtet janë përkeqësuar ndjeshëm për shkak të shirave të fuqishëm dhe temperaturave të ulëta që po afrojnë, duke e bërë edhe më të vështirë jetesën e familjeve që tashmë janë zhvendosur.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, rreth 1.9 milion njerëz në Gazë pothuajse 90% e popullsisë jane zhvendosur vazhdimisht që nga fillimi i konfliktit në tetor 2023.
Shumë prej tyre jetojnë në strehime të improvizuara, nën çati të dëmtuara ose në zona të hapura të ekspozuara ndaj motit të keq.
Çadrat britanike pritet të sigurojnë strehim të përkohshëm për rreth 12,000 persona.
Cooper u shpreh se është e papranueshme që ndihmat humanitare të vazhdojnë të bllokohen në kalimet kufitare dhe kërkoi hapjen e të gjitha pikave të hyrjes në territor, në mënyrë që organizatat ndërkombëtare të mund të ofrojnë ndihmën e nevojshme.
Qeveria izraelite ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me vonesat, ndërsa organizatat humanitare kërkojnë më shumë transparencë dhe bashkëpunim për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
