Protesta masive në Bullgari/ “Boll korrupsionit e vjedhjes”, njerëzit mbushin rrugët

1 Dhjetor 2025
Boll korrupsionit, dhe boll problemeve ekonomike: Bullgarët kanë mbushur rrugët e kryeqytetit Sofie dhe mjaft qyteteve të tjera të vendit për ato që në media po përshkruhen si protestat më të mëdha në vend që prej viteve 90`.
Sheshi i Pavarësisë u mbush me njerëz, teksa partitë opozitare u mblodhën më për të diskutuar hapat e ardhshëm mes raporteve në shtypin vendas se mund të kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në shkëndijën e protestave masive u kthye projektbuxheti që parashikonte rritjen e kontributeve individuale për pensionet dhe programet e sigurimeve shoqërore. Ndryshimet në buxhet – të kombinuara me rritjet e pagave për disa punonjës shtetërorë, sikurse për forcat e rendit – duket se e nxitën shpërthimin e zemërimit të akumuluar prej kohësh për korrupsionin dhe shpërdorimin e fondeve publike. Protestuesit ankohen se pagesat për sigurimet shoqërore dhe taksat nuk po menaxhohen me transparencë.
Organizata ndërkombëtare, Transparency International e rendit Bullgarinë si vendin e dytë më të korruptuar në BE, pas Hungarisë. Bullgaria është gjithashtu vendi më i varfër i BE-së, sipas Zyrës së bllokut evropian për Statistika. Ajo është edhe ndër anëtarët më të paqëndrueshëm politikisht të bllokut europian.
