19 Maji 2025

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj disa kandidatëve të Partisë Socialiste që kanë kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pamjet filmike të procesit të numërimit të votave, veçanërisht për votat preferenciale.

Rama ka shprehur keqardhje për këtë nismë, duke u bërë thirrje që të mos i hyjnë kësaj rruge, pasi sipas tij, skuadra e PS duhet të ruajë unitetin dhe integritetin.

“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge,” shkruan Rama.

Ai nënvizon se rezultatet janë të qarta dhe se nuk ka asnjë mundësi që devijimet eventuale të ndikojnë në diferencat e votave që ndajnë fituesit nga kandidatët e tjerë.

“Humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën… nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë…”

Po ashtu, Rama thekson se një veprim i tillë hedh hije dyshimi mbi komisionerët dhe numëruesit që, sipas tij, kanë dhënë kontribut të ndershëm në procesin zgjedhor.

“Kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë… që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.”

Ai e mbyll mesazhin me një paralajmërim simbolik për pasojat e mundshme mediatike të këtyre veprimeve:

“Përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi.”

Kërkesa për pamjet filmike është bërë nga tre kandidatë socialistë, Blerina Gjylameti, Xhemal Qefalia dhe Frrok Gjni, të cilët kanë humbur mandate në mënyrë të ngushtë, kryesisht pas numërimit të votave të diasporës.