16 Maji 2025

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me BKH dhe Policinë e Shtetit, ka nisur në disa zona kyçe të influencës së Tom Doshit në të cilat ky i fundit mori dy mandate, duke goditur fort rrjetin e dyshuar të blerjes së votave dhe ndikimit të paligjshëm në politikë. Shkodër, Vau Dejës dhe Malësi e Madhe janë zonat ku po zhvillohen bastisje dhe sekuestrime të telefonave celularë dhe dokumenteve, që sipas hetuesve mund të zbulojnë skemat dhe personat që dyshohet se qëndrojnë pas manipulimeve zgjedhore në favor të Partisë Social Demokrate të Doshit.

Shoferi i Doshit, hallka ndërlidhëse e skemës

Një prej zhvillimeve më domethënëse në këtë operacion ka qenë ndalimi në rrugë i shoferit personal të Tom Doshit nga njësitë e BKH dhe Policisë. Në momentin e ndalimit, atij i është sekuestruar telefoni celular, për të cilin hetuesit dyshojnë se përmban të dhëna kyçe mbi skemën kriminale dhe funksionimin e saj në terren. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se shoferi i Doshit nuk ishte një figurë e thjeshtë logjistike, por një hallkë ndërlidhëse mes urdhrave të “lart” dhe ekzekutimit të veprimeve konkrete në terren.

Në celularin e tij besohet se ndodhen komunikime, lista votuesish, biseda me persona të tjerë të përfshirë dhe të dhëna që mund të çojnë hetuesit drejt provave më të forta për rolin e Doshit në këtë rrjet të dyshuar për blerje votash. Goditja ndaj rrethit të ngushtë të Doshit nuk është ndalur këtu. Me urdhër të SPAK, është sekuestruar dhe edhe telefoni celular i kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli,  i zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste. Dyshimet ndaj Shkrelit janë serioze: ai akuzohet se ka ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë blerjen e votave në favor të Partisë Social Demokrate të Doshit, duke tradhtuar kështu interesat e forcës së tij politike.

Ky dyshim u përforcua publikisht edhe nga një deklaratë e kryeministrit Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Lezhë, ku ai e thumbonte Shkrelin në mënyrë të tërthortë, duke lënë të kuptohej se ai po luante një rol të dyfishtë dhe se kishte dalë nga rreshti i socialistëve për të mbështetur nën dorë Partinë Social Demokrate. Shkreli, për News24 është shprehur dje duke thënë “jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha instancat shtetërore.” “Unë jam në krye të detyrës, jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha instancat shtetërore dhe ata të bëjnë punën e vetë, ne po bëjmë punën për të cilën na ka votuar populli”, deklaroi ai.

Tom Doshi në SPAK për Rrogozhinën

Ndërkohë që hetimet në Shkodër dhe zonat përreth janë intensifikuar, vetë Tom Doshi është përfshirë drejtpërdrejt në radarët e SPAK. Më 24 shkurt 2025, ai është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’u marrë në pyetje për rreth 90 minuta, lidhur me një tjetër çështje – atë të zgjedhjeve në Rrogozhinë në vitin 2023. Sipas vetë Doshit, arsyeja e thirrjes në SPAK kishte të bënte me një takim elektoral që ai kishte zhvilluar në këtë zonë, ku kishte takuar një individ që në atë kohë po përgjohej nga organet e drejtësisë. “Është normale me na thirr Prokuroria. Për zgjedhjet në Rrogozhinë. Po për Edision Memollën. Kam bërë një takim në Rrogozhinë, personi që kam takuar ka qenë në përgjim.

Po bëhet hetimi për të gjithë ata”, u shpreh Doshi pas daljes nga SPAK. Ndërkohë për sa i përket rastit të zgjedhjeve në Rrogozhinë, për të cilat Tom Doshi tha se u pyet nga SPAK, Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit burg kryebashkiakun Edison Memolla për akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.  Lëvizjet e SPAK dhe intensiteti i hetimeve tregojnë se një fazë e re goditjesh është në prag. Operacioni në veri të vendit, marrja në pyetje për çështje të tjera dhe ndalimet e bashkëpunëtorëve të tij të afërt janë sinjale se drejtësia e re ka filluar të prekë themelet e politikës së vjetër.

Gazeta Sot