13 Qershor 2023

Pajisje me vlerë 2,4 milionë euro iu dorëzuan Policisë Kufitare dhe Migracionit nga Bashkimi Europian. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Dhërmi, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se sfida e përbashkët është hapja e kufijve sikundër Shqipëria ka bërë dhe menaxhimi i tyre në mënyrë të sigurt.

Ambasadorja e Delegacionit të BE, Christiane Hohmann, tha se ky projekt dhe gjithë bashkëpunimi me BE-në në tërësi ndihmon në përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim në union.

“Pajisjet e dorëzuara sot nxjerrin në pah bashkëpunimin solid mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar. Kjo e bën policinë kufitare më të fortë dhe më efektive për të ofruar siguri më të mirë për shqiptarët, si dhe ndihmon në përgatitjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha Hohmann.

Prej këtij projekti Policia Kufitare dhe Migracionit ka përfituar anije patrullimi, automjete vëzhgimi me sistem kamera vëzhgimi ditën e natën, mikrobusë me radarë, servis të lëvizshëm mirëmbajtjeje, si dhe dy radarë për bregdetin, një në Tale të Lezhës dhe tjetri në Dhërmi.

Gazeta Sot