19 Janar 2023

Ura e Zogut e dëmtuar nga reshjet e muajit të shkuar do të lihet në mëshirë të lumit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur se nuk ka asnjë projekt për rikonstruksion gjatë këtij viti.

“Ka një spërdredhje të njërës prej këmbës së urës. Nuk mund të përcaktojmë një projekt sakohë buxheti nuk është përcaktuar.”

Në konferencën për analizën dhe sfidat, ajo hodhi poshtë zërat se Amfiteatri në Durrës do të jepet me koncesion.

“Atë që ligji ua jep si mundësi organeve të vetë Ministrisë të krijojnë fondacione për të pasur një qasje më të zhdërvjellët me atë që është pjesa e donatorëve. Në Durrës të sjellim një model të ri vetëmenaxhimi të siteve tona. Nuk ka asnjë koncesion.”

Bashkë me Margaritin ishte dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila për sigurinë në plazhe tha se këtë sezon do të ketë kujdes të shtuar për mjetet lundruese.

Por pavarësisht kësaj, aksidentet janë të pashmangshme.

“Mjetet lundruese turistike duhet të jenë të organizuara, të kontrolluara nëpër stacione me kritere shumë strikte. Por njësoj si për transportin rrugor, janë shtuar masat në transportin rrugor por kjo nuk do të thotë se nuk ndodhin më aksidente rrugore.”

Për Ministrinë e Turizmit, 2023 do të quhet viti i lumit Vjosa për të cilin është menduar të bëhet park ndërkufitar dhe të investohen 80 mlnn dollarë për pastrimin.