Borxhi publik, ekspertja ngre alarmin: – Interesat dhe kursi i këmbimit do shkaktojnë katastrofë

1 Shkurt 2022

Profesoresha e ekonomisë Suzana Guxholli ngre alarmin e një katastrofe ekonomike për shkak të pritshmërisë së ekonomistëve ndërkombëtarë dhe vendas për rritjen e interesave të borxhit dhe të forcimit të euros.

Kjo do të thotë që Shqipërisë do t’i shtohen më shumë kosto për të paguar këstet e kredive për borxhet që ka marrë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Guxholli u shpreh se dy faktorët e përmendur më sipër do të rrisin katastrofikisht kostot e borxhit publik që ka marrë Shqipëria. Sipas saj, vetë fakti që sipas Ministrisë së Financave borxhi publik ka arritur në shifrat 80.1% të prodhimit të brendshëm bruto përbën një rrezik për vendin tonë. Ndërkohë shton se nëse përfshihen edhe detyrimet e gjobave në gjykatat e arbitrazhit, pagesat për koncesionet dhe detyrimet e prapambetura, borxhi publik shkon në 100%.

Një borxh i lartë, sipas saj, sjell varfëri te qytetarët. Kjo për faktin se Shqipëria klasifikohet si një ekonomi shërbimesh dhe joprodhuese që të gjenerojë në mënyrë të vazhdueshme. Ndaj, rritja e borxhit publik bën që qeverisë t’i kufizohen mundësitë për të investuar me qëllim rritjen ekonomike. Borxhi publik shqiptar ka shkuar në 80.1%, çfarë domethënie ka kjo për ekonominë e vendit tonë? Një borxh publik i lartë nuk është i mirë jo vetëm për një ekonomi të brishtë dhe në krizë anemike si kjo e Shqipërisë, por edhe në vendet me ekonomi të fortë dhe tradicionale që shkojnë më shumë në rritje se në zbritje. Për ekonomitë e brishta ka kufi deri ku shkon kapaciteti i kësaj ekonomie për të përballuar një borxh publik.

Mbaj mend se në qeverisjen që unë kam punuar, maksimumi që ekonomia shqiptare mund të përballonte, sipas përllogaritjes së FMN-së dhe Bankës Botërore, mbërrinte deri në një borxh deri në 60% të prodhimit të brendshëm bruto. Dhe kur ne lëvizëm kufirin në 2007-2008 u bë qameti. Tani mendoje, kjo ekonomi ka shkuar më poshtë. Të gjithë treguesit makro e mikro janë përkeqësuar. Një ekonomi e përkeqësuar dhe një borxh i rritur në mënyrë të tejskajshme është një barrë e rëndë për ekonominë. Kjo domethënë se, edhe sikur të rritet ekonomia, ajo rritje që pritet të shkojë në favor të njerëzve e të bëhen më shumë investime në arsim, shëndetin publik e infrastrukturë, të gjitha këto do të shkojnë për borxhin. Nëse në 2010-ën ne kishim një ngarkesë borxhi 56%, kjo mbërrin 76-77%.

Secili nga ne ka më shumë borxh tani e thënë më shqip. Përse është problem borxhi ynë në këto shifra kur vende të tjera kanë borxh më të lartë, por sërish ato kanë rritje ekonomike dhe rritje të mirëqenies. Si ta dallojmë se ky borxh është problematik? Ekonomitë e forta që kanë aktivitete prodhuese dhe aktivitete produktive e përballojnë një borxh të madh. Sepse në mënyrë konstante do të prodhojnë, do të shesin dhe do të gjenerojnë të ardhura dhe taksa për të mbushur buxhetin. Ndërsa ekonomitë anemike të vendeve të pazhvilluara siç jemi ne… çfarë sektori kemi ne të qenësishëm që do të na garantojë të ardhura në mënyrë të qëndrueshme? S’kemi! Ne kemi një ekonomi të bazuar te fasonët, call center-at dhe quhemi një ekonomi e bazuar në shërbime.

Kjo i bën këto ekonomi që të mos e përballojnë dot rritjen e madhe të borxhit, sepse s’kanë me çfarë ta paguajnë. Marrja e një borxhi për të shlyer një borxh tjetër nuk është asnjëherë e shëndetshme. Kur borxhi shkon për pagimin e borxhit tjetër dhe jo për të krijuar aktivitete të qëndrueshme dhe produktive kjo është e dëmshme. Përkthehet në varfëri më të madhe. Tani mendoni që vendi më i varfër në BE dhe në rajon, me një ekonomi që ka tatëpjetën, çfarë i ndodh kur rritet borxhi. Ekonomia jonë, ndryshe nga

ekonomia gjermane, italiane apo japoneze, nuk ka këllqe që të mbajë borxh të madh. Për ne ishte llogaritur një borxh i durueshëm deri në 60% maksimumi. Objektivi që vë FMN për të ruajtur ekuilibrat makro të vendeve të botës, planin do të donin ta kishin 45% në Shqipëri. Dhe për aq kohë sa FMN u fut përsëri e përcaktoi kufirin 45%. Tërmeti dhe kriza e pandemisë solli një situatë të jashtëzakonshme.

Kjo solli nevojën për borxh të domosdoshëm për të minimizuar efektet e krizës. A u përdor në Shqipëri për këtë qëllim borxhi i marrë? Situata e krizës kërkon që borxhi të përdoret për rindërtim të dëmeve nga tërmeti dhe për të përballuar pandeminë. Për investime në spitale dhe në vaksinim. Dhe jo rritje të investimeve publike, siç janë rrugët. S’janë prioritet në këtë moment. Tani ne mund të bëjmë edhe pa tunelin në Llogora, siç kemi bërë këto qindra vite. Ato para të ishin për të përmirësuar infrastrukturën e spitaleve apo sistemin arsimor. Pamë edhe një fenomen tjetër. Në vitin elektoral u rritën shpenzimet në maksimum. Shumë shpenzime në kohë krize reduktohen. Si në familje. Kështu duhet të funksionojë edhe me shtetin. Qeveria jonë nuk e bëri këtë, por për të qenë në rehati dhe për të mos u fokusuar te mirëmenaxhimi, shkoi te rruga më e thjeshtë, që ishte marrja e borxhit. Por edhe në familje, kur merr borxh më shumë seç mund ta përballosh, bëhesh gazi i të gjithëve.

FMN dhe Banka Botërore, si dhe organizmat europiane, e kanë paralajmëruar qeverinë tonë të bëjë kujdes. Borxhi duhet shpenzuar për aktivitete dhe investime që vijnë menjëherë në rritje të mirëqenies dhe jo në plotësimin e tekave klienteliste. Tendencat dhe parashikimet e ekonomistëve ndërkombëtarë dhe kombëtarë janë që interesi i ulët i shërbimit të borxhit që ka qenë deri më tani ka tendencë në rritje. Po ashtu, edhe kursi i këmbimit të euros. Kjo do të thotë katastrofë, sepse kostoja me të cilën paguan borxhin do të rritet. A nuk shërben borxhi për rindërtim që të sjellë rritje të ekonomisë? Ka një lloj efekti pozitiv, por nuk është efekt shumë i madh, sepse punësove përkohësisht sa ngrite pallatin ku do të strehohen banorët e dëmtuar dhe kaq. Ata nuk do të prodhojnë më ty vlerë që ti të ushqesh ekonominë.

Nuk do të paguajnë ty taksa, siç paguan një investim prodhues. Prandaj, ndryshimet strukturore në ekonomi dhe reformat afatmesme dhe afatgjata që të çojnë në krijimin e këtyre aktiviteteve që gjenerojnë punësim dhe paga më të larta dhe dinjitet për njerëzit, janë rrugët e drejta nga duhet shkuar. Neve na është tërhequr veshi se paratë që po merr borxh nuk po i përqendron në drejtimet që përmendëm pak më lart. Por i ka futur në investime jo të domosdoshme ose në koncesione që janë investime të paduhura dhe të gabuara. Janë bërë pa studime fizibiliteti. Pra, ç’të mira dhe të këqija na sjellin. Veç kësaj, këto lloj kostosh të koncesioneve dhe detyrimet e papaguara që ndërmarrjet publike kanë ndaj shtetit, dhe aq më keq, të shtetit ndaj privatëve. Këto sjellin keqpërdorim për taksapaguesit dhe kufizim të parave për zgjerim të aktivitetit për sektorin privat. Arbitrazhet.

Gjyqet që ne kemi humbur me kompani të ndryshme. Këto janë borxhe të fshehura që ky 81% nuk i ka përfshirë. Nëse përfshihen edhe këto, borxhi shkon gati 100%. Pra çdo gjë që prodhon ekonomia jonë, shkon për të paguar borxhin. Nuk rrit dot as investimet. As mirëqenien dhe as rrogat. Rrit barrën e borxheve për brezat e ardhshëm. Rritja ekonomike nuk shkon dot për rritjen e mirëqenies, por për të paguar borxhin. Ti punon, por gjithçka merr i çon për të paguar borxhin. Në këto kushte, çfarë masash duhen marrë për të përmirësuar klimën. Ministrja e deklaroi se do të ulë borxhin? Qeveria i kishte planet që për 2021-shin për uljen e borxhit, por për arsye të ndryshme, borxhi u planifikua me rritje. Dhe rritja është shumë e madhe. Përdorimi i këtij borxhi i është thënë nga FMN-ja se nuk është në mënyrën e duhur. Qeveria jonë kritikohet për mungesë transparence në përdorimin e parave publike.

Qoftë në procesin e rindërtimit, por qoftë edhe në investime, si koncesionet apo PPP-të që janë miliona euro, të cilat mund të përdoreshin për të rritur zhvillimin e biznesit apo për sektorët publikë që kanë

nevojë jetike. Duhet të ndërmerren politika mbështetëse për të bërë biznes, që Shqipëria të mos bjerë në lidhje me klimën e të bërit biznes, por të ngrihet e të bëhet tërheqëse për investitorët e huaj. Të ndryshojë strukturën e ekonomisë përmes reformave afatmesme dhe afatgjata. Të mos mundohet të shoh vetëm tani. S’mund të merret borxh për zgjedhjet. Për këtë i kërkohet që të shkurtojë shpenzimet e veta. Të mos nxitohet për ndërtime që s’janë të domosdoshme. Të përqendrohet në mbledhjen e të ardhurave, të zvogëlojë ekonominë informale. Të rrisë disiplinën fiskale. Ta shikojë atë afatgjatë.

Rritja e borxhit në këtë masë është bërë në shkelje të rregullit të artë të përcaktuar në Kushtetutë për buxhetin, i cili thotë se borxhi publik nuk mund të jetë më shumë se 2% e PBBsë, ku në fakt në Shqipëri ka shkuar diku 7.5% të PBB-së. Suzana Guxholli, gjatë intervistës për gazetën “Panorama” Gjyqet që ne kemi humbur me kompani të ndryshme. Këto janë borxhe të fshehura që ky 81% nuk i ka përfshirë. Nëse përfshihen edhe këto, borxhi shkon gati 100%. Pra çdo gjë që prodhon ekonomia jonë, shkon për të paguar borxhin. Nuk rrit dot as investimet. As mirëqenien dhe as rrogat. Rrit barrën e borxheve për brezat e ardhshëm. Rritja ekonomike nuk shkon dot për rritjen e mirëqenies, por për të paguar borxhin. Ti punon, por gjithçka merr i çon për të paguar borxhin.

Nga MARIGLEN KUME

Gazeta Panorama