21 Shkurt 2026

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur që të bllokojë totalisht aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, për shkak të urës që po shembet në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Kreu i ARRSH tha se situata vetëm po përkeqësohet, prandaj është e detyruar mbyllja e rrugës. Ai u bëri thirrje qytetarëve ta shmangin këtë rrugë, pasi do mbeten të bllokuar në radhë pritjeje. Ndërkohë, nuk ka një afat kur do hapet rruga.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel Bruna Kërçyku se a ndikoi gërryerja e lumit për shembjen e urës, kreu i ARRSH u shpreh se punimet ishin me leje.

“Ne si autoritet e kemi në mbikëqyrje prej ditësh tashmë, prej javësh më saktë, por gjatë 48 orëve të fundit ka pasur një përkeqësim të ndjeshëm, të cilët ne në fakt edhe kjo është arsyeja që erdhëm në terren, jemi të detyruar të bllokojmë plotësisht trafikun, deri në zbatimin e një mase provizore me një by pass në krah të skarpatës që po zhvillojmë aktualisht. Ka një zhvillim të vazhdueshëm në përkeqësim, sepse nga mëngjesi spostimi i urës në mëngjes ishte 27 cm nga kjo anë që ne jemi, ndërkohë që aktualisht është 29 cm. Nga vizita që ne bëmë tani poshtë urës aty ka prezencë, po thërrmohet betoni pra që tregon se ajo është aktive edhe në këtë moment që ne po flasim. Kështu që si autoritet jemi të detyruar të bëjmë këtë bllokim total tashmë jo vetëm për mjetet e rënda të cilën e njoftuam në mëngjes, por edhe për mjetet normale”.

Flasim për një afat kohor, parashikojmë dot kur mund të hapet?

“Parashikim të saktë nuk mund të bëjmë por unë do të them që do të fillojmë menjëherë punën me kontraktorin, sot në orën 8.30 të mëngjesit zhvilluam një mbledhje me të gjithë inxhinierët të cilët i kam edhe me vete, ashtu edhe me kontraktorin por edhe me projektuesin e aksit rrugor, dhe konkluzioni ishte ky që sapo thamë. Por donim ta verifikonim saktë në terren, të ishim edhe në terren vetë prezent që të ishte masa e duhur, pra jo vetëm një masë vetëm nga zyra, por e konfirmuar edhe nga terreni”.

Një udhëzim për drejtuesit e mjeteve

“Ju lutem shumë ta shmangni me patjetër duke qenë se është fundjavë dhe kemi një fluks gjatë fundjavave që i drejtohet veçanërisht Korçës, kështu që shmangni këtë rrugë sepse do të gjendeni në trafik, radhë pritjeje, ne nuk jemi në gjendje të themi sa do të zgjasin punimet, por di të them se është e domosdoshme masa që do të merret edhe nga ana inxhinierike se si do të merret, ura në këtë moment nuk shfaq siguri”

 Ju jeni i shoqëruar me inxhinier, cilat mendoni që janë shkaqet që çuan në këtë situatë?

“Bëhem përsëritës, por është e vërteta, shkaqet janë natyrore, këtu jemi në një zonë ujëmbajtëse, dhe zona pak më qartë quhet Ligata e Bicës, në këtë moment ne jemi në një zonë ujëmbajtëse dhe problemi ne na fillon nga poshtë, jo nga lart. Dhe kjo po ndodh sepse është lumi që e gërryen nga poshtë dhe më pas e skalon duke e ngjitur lart. Edhe zhvillimet e orëve të fundit janë pikërisht për këtë gjë, pra është një fenomen natyror. Ky është aks rrugor që është kolauduar në 2001 pra, jemi në një aks rrugor 25 vjeçar po natyrisht ka pasur vazhdimisht punime në mirëmbajtje por asnjëherë investime të mirëfillta, ndërkohë që ura është e vitit 97, natyrisht për kohën që është projektuar ka qenë me standarde më të larta, megjithatë me fluksin që ajo gjendet sot jemi në kushte të tjera. Theksoj se ura në vetvete si trup asnjë çedim, çedimi është në bazamentin e vet ndaj kjo përbën edhe masën që ne po ndërmarrim.”

Ne disponojmë pamjet që lumi u gërrye nga makineritë për marrjen e inerteve, a nuk ishte e udhës që një situatë e tillë të evitohej?

“E pashë kronikën tuaj, dhe faleminderit që e ngritët pyetjen. Ato janë bërë me leje, pra janë lejet të cilat i kanë dhënë institucionet përkatëse, pra unë nuk do ta lidh dot fenomenin në këto kushte me gërryerjen që ka ndodhur, sepse ato janë marrë me leje përkatëse mjedisore.”

Cilat janë alternativat për ta zbutur këtë fluks qarkullimi?

“Në dijeninë time për mjetet e rënda ne nuk kemi, kemi vetëm për mjetet normale, dhe ai është Maliq Berzhan dhe nga ana e Gramshit, të cilën ne e aplikuam edhe në datën 1 shkurt kur ndodhi edhe bllokimi për shkak të masivit shkëmbor, për mjetet e rënda për momentin nuk kemi, por me realizimin e by pass-it edhe kalimi i tyre do të jetë i mundur.”