8 Prill 2026

Numri i të burgosurve që kanë humbur jetën në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri i ngjan një bilanci lufte.

Në një informacion të dhënë nga Drejtoria e Burgjeve për Top Channel në tetor të vitit të kaluar, rezulton se për periudhën janar 2020- shtator 2025 kanë humbur jetën brenda mureve të qelive 134 persona, ndërkohë që 5 të tjerë janë deklaruar të vdekur në tre muaj e parë të 2026.

Të dhënat zyrtare rendisin vitin 2024 me numrin më të lartë të ngjarjeve të rënda brenda burgjeve. 32 të dënuar që vuanin dënimin kanë humbur jetën, ku 31 raste janë klasifikuar si shkaqe shëndetësore dhe një rast si vetëvrasje.

Një panoramë e ngjashme paraqitet edhe në vitin 2023, ku nga 25 vdekje në total, 23 lidhen me shkaqe shëndetësore, ndërsa është regjistruar një vetëvrasje dhe një rast vrasjeje. Edhe këtu, shumica e viktimave kanë ndërruar jetë në spitale, çka tregon gjendjen e rënduar shëndetësore të të dënuarve.

Në vitin 2022 janë shënuar 17 vdekje, ku dominon sërish faktori shëndetësor, ndërsa janë regjistruar edhe 2 raste vetëvrasjeje. Ndërkohë, në vitin 2021, nga 19 vdekje në total, 17 janë për shkaqe shëndetësore dhe 2 për vetëvrasje.

Edhe viti 2020 paraqet një situatë të ngjashme: 26 të burgosur kanë humbur jetën, ku 21 raste janë për shkak të sëmundjeve dhe 5 raste janë vetëvrasje.

Vetëm vitin e kaluar për një periudhë 9 mujore, janë regjistruar 15 vdekje, ku 14 prej tyre lidhen me shkaqe shëndetësore dhe një rast është vetëvrasje.

Të dhënat tregojnë qartë se problemi kryesor në sistemin penitenciar mbetet shëndeti i të burgosurve, me një numër të lartë vdekjesh që ndodhin si pasojë e sëmundjeve. Nga ana tjetër, edhe pse në numër më të ulët, rastet e vetëvrasjeve mbeten një tjetër alarm për institucionet.

Top Channel