Berat: – “Shtatë shenjtorët” pas ndërhyrjes restauruese i shpëtojnë shkatërrimit

27 SHKURT 2021

“Shtatë shenjtorët” e muzeut “Onufrit” i shpëtojnë shkatërrimit. Vepra që është realizuar në vitin 1873, pas një ndërhyrje restauruese është e shpëtuar. Pas një pune të gjatë dhe të kujdesshme në Laboratorin e Veprave të Artit në Muzeun e ikonografisë “Onufri”, ka përfunduar ndërhyrja restauruese e një tjetër vepre në koleksionin e muzeut. “Një vepër e vitit 1873 nga autori Adam Kristo nga Samarina, që paraqiste probleme serioze. Tashmë ajo nuk është vetëm një vepër e shpëtuar, por edhe e rifreskuar. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit.

Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj.

Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX.

Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ai konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Zbukurimet e ikonostasit paraqesin disa karakteristika dhe parime të stilit barok, një prirje mbizotëruese dhe dalluese e kishave të ndërtuara në Ballkan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Të gjitha këto motive janë të gërshetuara me elementë të tjera të traditës se artit mesjetar.

Gazeta Sot