Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro lejuan masakrën në Shkumbin, që ka sjellë shkatërrimin e rrugës

22 Shkurt 2026
Shëmbja e Urës në segmentin Ara e Gurrës është një skandal që vjen nga ndërtimet në rrugën Elbasan-Prrenjas, ndërtime që kanë destabilizuar shtratin e lumit dhe ka krijuar kushtet për dëmtimet në rrugë dhe bazamentet e formacioneve të betonit ku mbështeten urat. Situata në aksin Elbasan–Përrenjas lidhet me shkelje të mundshme ligjore të kompanive që ndërhyrjet në lumi Shkumbin, në kuadër të Korridorit VIII, të cilat duket se po sjellin pasoja serioze për mjedisin, sigurinë dhe rrezikun e përmbytjeve.
Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë një masakër mjedisore, ku kompanitë e kontraktuara kanë bërë shfrytëzim kriminal të shtratit të lumit dhe përgjegjësia kryesore për këtë masakër mjedisore shkon direkt për Ministren e Mjedisit, Kumbaro dhe atë të Transporteve Belinda Balluku, të cilat megjithë reagimet dhe denoncimet e shumta nga përfaqësuesit e komunitetit që prekej nga kjo masakër urbane, nuk kanë reaguar dhe nuk kanë marrë masa për respektimin e standardeve mjedisore dhe ndërtuese.
Masakra mjedisore mbi lumin Shkumbin
Kompanitë kanë përdorur zhavorr lumi për shtratin e rrugës, duke gërryer përroin dhe shkatërruar ekosistemin. Kjo ka sjellë pasoja të rënda mjedisore dhe rrezik për stabilitetin e rrugës.
Rrëshqitje masive dhe bllokime
Në zonën e Dragostunjës janë raportuar rrëshqitje të gurëve dhe dherave, duke bllokuar për orë të tëra qarkullimin. Ndërhyrjet e kompanive kontraktuese shpesh kanë hedhur masive dherash në trupin e rrugës, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve.
Kufizime të qarkullimit gjatë punimeve
Në zonën e Mirakës, zgjerimi i rrugës ka sjellë kufizime të lëvizjes, duke lejuar vetëm një sens qarkullimi. Kjo ka krijuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve, me periudha të gjata vonesash.
Rrezik për sigurinë
Punimet e pakontrolluara dhe mungesa e mbrojtjes së mjaftueshme lumore kanë rritur rrezikun e shembjeve dhe dëmtimeve të infrastrukturës.
Shkatërrimi i i segmentit Arra e Gurrës, i cili u shoqërua me ndarjen përfundimtare të juglindjes me qendrën e Shqipërisë është rezultat i papërgjegjshmërisë të ministrive të linjës dhe kompanive ndërtuese dhe eneteve përkatës që duhet të monitoronin zbatimin e konmtratës.
Ky aks, i menduar si arterie strategjike e Korridorit VIII, po ndërtohet nga disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri. Megjithatë, problematikat e hasura – nga masakra mjedisore, tek rrëshqitjet e dherave dhe bllokimet e qarkullimit – tregojnë një model tipik të mungesës së kontrollit institucional dhe të standardeve të ndërtimit. Në vend që të përfaqësojë një hap drejt integrimit rajonal, ky projekt po shndërrohet në një shembull të patronazhit dhe të keqmenaxhimit.
I pyetur për situatën e krijuar, avokati Eugen Beci deklaron se:
Ndërhyrjet përgjatë lumit Shkumbin në kuadër të punimeve të korridor VIII nuk mund të trajtohen si çështje teknike rutinë.
Kur shtrati i një lumi ngushtohet, devijohet apo mbushet me inerte, pasojat nuk janë vetëm mjedisore. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e brigjeve, në sigurinë e infrastrukturës dhe në rrezikun e përmbytjeve.
Nëse sot shohim çarje, rrëshqitje apo deformime përgjatë aksit Elbasan–Prrenjas, pyetja nuk është politike. Është juridike:
-A janë respektuar kushtet e lejeve mjedisore?
-A është zbatuar saktë Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis?
-A ka pasur ndërhyrje jashtë projektit të miratuar?
-A është cenuar interesi publik përmes neglizhencës apo abuzimit?
Prokuroria nuk heton “zhvillimin”. Ajo heton ligjshmërinë.
Infrastruktura strategjike nuk mund të ndërtohet duke sakrifikuar lumin, mjedisin dhe sigurinë publike. Nëse lejet janë dhënë ose zbatuar në kundërshtim me standardet, përgjegjësia duhet të jetë konkrete dhe individuale.
Shteti serioz nuk matet nga kilometrat e asfaltit, por nga respektimi i ligjit.
