21 Qershor 2025

Nga: Marsela SHYTIA

Komisioni Evropian pagoi dje pasdite në llogarinë e qeverisë serbe këstin e parë prej 51.7 milionë eurosh si parafinancim nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Komisioni kishte planifikuar ta bënte pagesën shumë kohë më parë, por, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, po priste që përshtypjet negative të zbuteshin pas vizitës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Moskë dhe pjesëmarrjes në paradën e Putinit më 9 maj. Kjo pagesë vërteton se paralajmërimet e BE-së ndaj Serbisë se “do të ketë pasoja” nëse Vuçiç shkonte në Moskë ishin thjesht të shtëna nga një pushkë bosh dhe se BE-ja në fakt nuk ka ndërmend ta sanksionojë Serbinë për bashkëpunimin me Rusinë.

Vuçiç ishte një nga të paktët udhëheqës evropianë që mori pjesë në paradën ushtarake të Ditës së Fitores të Vladimir Putinit më 9 maj, një vendim që zyrtarët e BE-së kishin paralajmëruar se “nuk do të merrej lehtë”. Në prag të udhëtimit, Brukseli aludoi për pasojat: një zyrtar estonez i BE-së tha hapur se nëse Vuçiç do të shkonte në Moskë, “pasoja është se ata nuk do të bashkohen me Bashkimin Evropian”. Ministrat e jashtëm evropianë gjithashtu e ngritën çështjen, duke e bërë “shumë të qartë” se pjesëmarrja e Vuçiçit në paradën e Putinit do të shkelte pritjet e BE-së në një kohë të agresionit të Rusisë në Ukrainë. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve të ashpra, Vuçiç vazhdoi të shfaqej përkrah Putinit në Sheshin e Kuq, madje duke dërguar trupa serbe për të marshuar në paradë.

Lidhjet me Rusinë

Ironikisht, pikërisht ditën që mbërriti pagesa e BE-së, zyrtarët serbë po i dyfishonin lidhjet me Rusinë. Nenad Popoviç, Ministri i Serbisë përgjegjës për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, mori pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (SPIEF) dhe theksoi publikisht angazhimin e Serbisë për forcimin e lidhjeve tregtare dhe energjetike me Moskën . Popović njoftoi në Shën Petersburg se Serbia “duhet” të ndërtojë një central bërthamor dhe të vazhdojë bashkëpunimin e saj strategjik me Rusinë për furnizimet me naftë dhe gaz për të përmbushur nevojat energjetike të Serbisë. Ai falënderoi Rusinë për ndihmën e saj thelbësore në sigurimin e gazit natyror të lirë “sidomos tani në këtë moment të vështirë”, duke vënë në dukje se gjatë krizës së fundit energjetike në Evropë, Gazprom ia dorëzoi të gjithë gazin e kontraktuar Serbisë në kohë dhe me çmimin më të ulët në Evropë.  Ai deklaroi hapur se heqja dorë nga energjia ruse nën presionin perëndimor për Serbinë do të ishte “çmenduri”, “një plumb në këmbën e popullit tonë”, siç e tha ai.

Miratimi i heshtur

Pagesa e BE-së për Serbinë do të thotë gjithashtu se BE-ja ka konfirmuar “sjelljen konstruktive” të Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pasi ky është një parakusht specifik për marrjen e ndihmës nga kjo paketë. Dhe ky konfirmim nga BE-ja duket kontradiktor, sepse vendet e BE-së në disa raste kanë shprehur keqardhjen e tyre për mungesën e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Brukseli nuk i pezulloi bisedimet e pranimit të Serbisë në BE, as nuk vendosi ndonjë sanksion zyrtar ndaj bashkëpunimit të Beogradit me Rusinë, një rezultat që sugjeron se paralajmërimet e mëparshme të BE-së ishin retorikë boshe. Në fakt, vetë Parlamenti Evropian ka shprehur zhgënjim për këtë butësi. Në një rezolutë të miratuar në maj 2025, Parlamenti “shpreh keqardhje” që Serbia ende refuzon të përputhet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe “i bën thirrje BE-së të rishqyrtojë shkallën e ndihmës financiare të ofruar për Serbinë” nëse qëndrimi pro-Moskës i Beogradit vazhdon. Pavarësisht qortimeve të tilla, Komisioni Evropian duket se nuk është i gatshëm të përdorë leva financiare.

Nga Gazeta Sot