11 Mars 2026

PD i ka lënë të hapur të gjithë skenarët për protestën e nesërme, ku nuk përjashtohet as ngujimi i deputetëve në Parlament.  Në telefonat e anëtarëve të PD ka mbërritur edhe një mesazh, ku thuhet se kilometri i fundit i Ballukut mbaroi dhe tashmë është radha e Ramës.

“Nga burime brenda PD bëhet me dije se do të jetë një protestë e ngjashme me protestat që janë zhvilluar para Parlamentit. Pritet të ngrihet një podium, ku do ketë një komunikim me deputetët brenda sallës plenare, dhe do të ketë një ekran gjigant ku do të transmetohet ajo që do të ndodhë në Kuvend.

Në krye të protestës do jenë Bardhi dhe Balliu, dy deputetët e përjashtuar. Demokratët kanë lënë të hapur çdo skenar, sipas tyre do të ketë protestë jo vetëm në sheshin përpara Paralementit, por edhe në sallën e seancave plenare. Ata kanë deklaruar se nuk do ketë një seancë normale nëse socialistët do të marrin vendimin për të votuar kundër heqjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku”, tha gazetari Anesti Bajramemaj.

“Në telefonat e anëtarëve të PD ka mbërritur edhe një mesazh ku u bëhet thirrje për të ardhur në protestë dhe thuhet në këtë mesazh se kilometri i fundit i Ballukut mbaroi dhe tashmë është radha e Edi Ramës, duke i përgatitur demokratët se do të ketë edhe protesta të tjera për largimin e Edi Ramës, që ka qenë objektivi i demokratëve që nga protestat e dhjetorit”, vijoi ai.