1 Nentor 2023

Bardhi në fjalën e tij, para se Lindita Nikolla t’ia ndërpriste, ka deklaruar se kurrë nuk ka ndodhur që maxhoranca të rrëzojë 8 Komisione hetimore pa dhënë asnjë shpjegim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka fajsuar maxhorancën për gjendjen që ndodhet Kuvendi ditën e sotme. Nga foltorja, Bardhi është shprehur se Kuvendi është futur në ngërç për shkak mazhorancës. Po ashtu Bardhi në fjalën e tij, para se Lindita Nikolla t’ia ndërpriste, ka deklaruar se kurrë nuk ka ndodhur që maxhoranca të rrëzojë 8 Komisione hetimore pa dhënë asnjë shpjegim.

“Prej tre javëve mazhoranca socialiste e ka futur Kuvendin e Shqipërisë në ngërç, duke pamundësuar funksionimin normal të tij. Me veprime të paprecedenta, duke nisur nga sjellja juaj znj. Kryetare, dhe më pas me votime antikushtetutese, ju keni marrë vendimin për të asgjesuar opozitën në Parlament. Kurrë në historinë e ketij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të shndërrojë veten në specialiste arkive të një partie, duke injoruar Kushtetutën dhe Rregulloren e Parlamentit.

Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që Kryetarja e Kuvendit të hedh në votim të drejtat e opozitës dhe kundërshtari politik të ketë votuar për ti asgjesuar ato. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që të votohet pa i dhënë as të drejtën e fjalës opozitës për të sqaruar kërkesat e saj. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca ti diktojë opozitës se me kë dhe si duhet të përfaqësohet në Komisionet Parlamentare. Kurrë në historinë e këtij Parlamenti nuk ka ndodhur që mazhoranca të rrëzojë brenda një viti 8 kërkesa për Komision Hetimor, pa dhënë asnjë shpejgim, pa bërë asnjë përpjekje për të gjetur konsensus,” tha Bardhi.