24 Shkurt 2026

Në thellësitë e shpellës së akullit Scarisoara në Rumani, ku ndodhet një nga akullnajat nëntokësore më të mëdha në botë, shkencëtarët kanë izoluar një bakter të lashtë që sfidon mjekësinë moderne.

Mostra u mor nga një bërthamë akulli 25 metra e gjatë, e cila përmbante materiale të ngrira prej rreth 13 mijë vitesh.

Analiza u fokusua në një shtresë akulli 5 mijë vjeçare, nga ku u identifikua bakteri i quajtur Psychrobacter SC65A.3, një mikroorganizëm që jeton në temperatura shumë të ulëta.

Kur u testua ndaj 28 antibiotikëve të përdorur sot në mjekësi, bakteri rezultoi rezistent ndaj 10 prej tyre, përfshirë disa që përdoren për trajtimin e infeksioneve urinare dhe sëmundjeve bakteriale.

Sipas studiuesve, kjo tregon se rezistenca ndaj antibiotikëve nuk është fenomen i ri, por një tipar evolucionar i zhvilluar gjatë miliona viteve përmes konkurrencës mes mikrobeve.

Ekspertët theksojnë se bakteri nuk përbën rrezik për njerëzit, pasi është i përshtatur për mjedise të ftohta ekstreme.

Megjithatë, shkrirja e akullnajave si pasojë e ngrohjes globale mund të çlirojë mikroorganizma të lashtë, disa prej të cilëve mund të mbartin mekanizma rezistence ose biomolekula të panjohura.

Nga ana tjetër, analiza gjenetike e këtij bakteri ka zbuluar 11 gjene që potencialisht prodhojnë molekula me aftësi për të vrarë baktere të tjera, përfshirë ato rezistente.

Studiuesit shpresojnë se këto molekula mund të hapin rrugë për zhvillimin e antibiotikëve të rinj, në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për miliona vdekje çdo vit të lidhura me rezistencën antimikrobike.

Zbulimi, përtej alarmit, sjell edhe një dritë shprese në betejën kundër super-baktereve.