19 Korrik 2026

Nga Auron Tare

Shfaqja e filmit “Odiseu” nga regjisori Christopher Nolan ka hapur një debat të gjerë në të dy anët e Atlantikut mbi një nga veprat më identifikuese të letërsisë botërore “Odisea” e Homerit.

Në podcast-et më të njohura, studiues dhe ekspertë me famë botërore kanë sjellë këndvështrime interesante e origjinale mbi këtë projekt artistik të bazuar në mitologjinë antike.

Sigurisht, nuk kanë munguar debatet edhe në Greqinë moderne, ku shumë zëra e kanë kundërshtuar filmin, duke argumentuar se ai nuk pasqyron një lidhje të fortë me kulturën helene. Pa dashur t’i bashkohem këtij debati, i cili në fund të fundit nuk më përket mua, mund të shtoj vetëm një vërejtje, sipas shumë prej studiuesve më të rëndësishëm të Homerit, ngjarjet e “Odiseas” lidhen me popullsitë e Epokës së Bronzit të Vonë dhe jo me kulturën klasike helene.

Ishin grekët e lashtë ata që e ruajtën, e transmetuan dhe e përhapën këtë vepër të jashtëzakonshme në të gjithë Mesdheun, por vetë poema nuk portretizon botën e Greqisë klasike, ajo përshkruan një univers shumë më të hershëm, të fiseve parahelenike, siç e identifikon edhe vetë autori.

Por le t’i kthehemi arsyes pse po shkruaj sot.

Në debatin e ndezur për filmin kanë gjetur vend edhe tinguj që vijnë nga lashtësia dhe që ruhen me aq kujdes nga artistët shqiptarë. Fyejt e Gramshit, fyelli i mjeshtrit Vendim Kapaj dhe polifonia shqiptare kanë ngjallur interes të madh dhe përbëjnë një gjetje artistike të jashtëzakonshme në këtë produksion.

Ndërsa filmi po shfaqet në kinematë amerikane dhe evropiane, kuptohet qartë se sa e madhe është etja e publikut botëror për rrëfime të tilla. Vepra të këtij niveli jo vetëm që rikthejnë në qendër të vëmendjes letërsinë dhe mitologjinë antike, por u japin hapësirë edhe tingujve që burojnë nga trojet tona. Janë tinguj që e prezantojnë kulturën shqiptare në skenën më të lartë të kulturës botërore.

Pikërisht për këtë arsye m’u rikthye në mendje debati i verës së kaluar për Shpellën e Ciklopit në Himarë. Një vend me rëndësi jo vetëm për traditën lokale, por edhe për imagjinatën kulturore që lidhet me botën homerike. Të imagjinosh se në brigjet tona ekziston një vend që, prej brezash, lidhet me Odiseun, Ciklopin dhe vetë Homerin, është një pasuri e jashtëzakonshme.

Askush nuk mund të pretendojë se miti i Odiseut i përket vetëm një vendi. Ai është pjesë e trashëgimisë së gjithë Mesdheut.

Por fakti që deri në ditët tona, në Himarë, ruhet toponimi dhe tradita e Shpellës së Ciklopit, i jep këtij vendi një vlerë të veçantë. Është një urë që lidh trashëgiminë tonë me një nga mitet themeluese të qytetërimit perëndimor dhe një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit kulturor.

E çfarë bëjmë ne me këto vlera kaq të rralla?

Si i trajtojmë ato?

Çfarë mund të bëjmë më mirë me një vend që mund të ishte një pikë referimi kulturore me jehonë ndërkombëtare?

Përgjigjja, fatkeqësisht, është dëshpëruese.

Pranë Shpellës së Ciklopit ngrihet një lavazh makinash.

Në vend që të ndërtojmë një hapësirë interpretimi, një itinerar kulturor apo një pikë të denjë pritjeje për vizitorët, ne kemi zgjedhur ta banalizojmë një pasuri që shumë vende do ta kishin kthyer në simbol kombëtar.

Z. Ministër i Kulturës sonë, ndoshta është koha të kuptojmë se trashëgimia kulturore nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës. Ajo është një investim për të ardhmen, një burim identiteti dhe zhvillimi ekonomik. Sepse një vend që nuk di të vlerësojë historinë dhe mitet e veta, vështirë se mund t’i bëjë ato të vlejnë në sytë e botës.

Sado të vinë “Këno” e tjerë në këtë vendin tonë për të ksehasur turmat, Shqipëria shkoi në tempujt botërorë të kinematografisë botërore fatmirësisht me tingujt e fyejve të harruar nga indiferenca zyrtare.

Prandaj o burra meru me Shpellën e Himarës që ajo mos të vazhdojë të jetë një lavazh makinash që na turpëron të gjithë ne aq më shumë sot ku Odisea dhe tingujt shqiptarë po shihen në të gjithë botën.