19 Korrik 2026
Shkencëtarët konfirmojnë atmosferën në një planet shkëmbor jashtë sistemit diellor.

Atmosferë në një tjetër trup qiellor. Zbulohet për të parën herë prania e atmosferës në një planet shkëmbor, vetëm 48 vite dritë larg nesh, në zonën e ashtuquajtur të banueshme pranë një ylli mëmë.

Planeti është LHS 1140b dhe gjendet në një zonë ku temperaturat dhe kushtet mjedisore mund të jenë të favorshme për praninë e ujit në gjendje të lëngshme në sipërfaqen e tij, e ndoshta edhe praninë e një oqeani të madh.

Ky planet është vëzhguar për herë të parë në vitin 2017, por mendohej se ishte i gaztë. Vetëm në studimin e fundit, më të imtësishëm, me të dhëna dhe vëzhgime të vazhdueshme, është zbuluar që është shkëmbor dhe, për më tepër, ka edhe atmosferë, duke e klasifikuar në kategorinë e planeteve të ashtuquajtura Super Toka, për ngjashmëritë me planetin tonë.

Studimi i rëndësishëm është drejtuar nga shkencëtari Collin Cherubim i Universitetit Harvard dhe është publikuar në revistën Science.

Planeti orbiton rreth një xhuxhi të kuq, një yll i madh dhe i rëndë sa 1/5 e Diellit tonë, pra shumë më i ftohtë. LHS 1140b ka një dendësi të përputhshme me atë të përbërjes shkëmbore dhe është i pasuruar me një mbështjellje të gaztë, pra atmosferën.

Deri më sot, astronomët kanë arritur të zbulojnë gjurmë të atmosferës vetëm në gjigantë të gaztë, të ngjashëm me Jupiterin dhe plotësisht të papërshtatshëm për zhvillimin e jetës.

Nga të dhënat e mbledhura në studimin e fundit, rezulton se atmosfera e planetit LHS 1140b ka në përmbajtje elementin helium, i cili është dominues.

Autorët shpjegojnë se është enigmatike se si një planet shkëmbor ka arritur të mbajë atmosferën e tij për të paktën 3 mld vjet. Kjo pasi ylli i tij, që është i kategorisë së xhuxhëve të kuq, është i njohur për aktivitetin e dhunshëm, të karakterizuar nga çlirime energjie dhe drite të tilla, në gjendje të zhveshin plotësisht planetët pranë.

Por në këtë rast, LHS 1140b gjendet në një distancë sigurie, gjë që ka bërë të mundur që planeti të ketë ende heliumin që nga epoka e largët e fazës së formimit të tij, duke i mbijetuar rrezatimeve X dhe ultraviolet të së kaluarës. Aktualisht, ky planet merr nga ylli i tij 42% të energjisë që Toka merr nga Dielli.

Atmosfera është përbërës thelbësor për jetën në Tokë. Pavarësisht se ekzoplanetë, pra planetë jashtë sistemit tonë diellor, të ngjashëm me Tokën janë zbuluar shumë, por asnjëherë nuk është gjetur atmosferë në asnjë prej tyre.

Shkenca ka bërë përparime të jashtëzakonshme, ndërkohë që 20 vjet më parë nuk kishim njohuri nëse ekzistonin planete të tjerë të ngjashëm me Tokën tonë. Më pas u zbulua që janë të shumtë, por asnjëherë me atmosferë, gjë që u arrit të vrojtohet e konfirmohet edhe prania e saj diku tjetër në Univers.