“Nuk dorëzohemi pa dhënë dorëheqjen!”- Rezistenca historike, sot dita e 49-të e revoltës popullore, qytetare

18 Korrik 2026
Një rezistencë historike si kurrë më parë në Shqipëri.
Revolta popullore kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër politike hyn sot në ditën e 49-të të saj, (18 korrik 2026), pa ndërprerje dhe me qëndrueshmëri të papërsëritshme.
Pas një tjetër marshimi masiv mbrëmjen e djeshme, ku protestuesit u stacionuan para godinës së Kryeministrisë, organizatorët kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje akoma më të madhe pasditen e sotme.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila ka mbushur sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej javësh, mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i asaj që ata e konsiderojnë si “kasta politike” që ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Si çdo natë, edhe në protestën e fundit nuk kanë munguar pankartat me mesazhe të forta ironike dhe satirike të drejtuara si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj opozitës. Sheshi ka jehuar nga brohoritjet që tashmë janë kthyer në simbolin e kësaj kryengritjeje qytetare:
-“Shqipëria nuk është në shitje”
-“Rama në burg, Berisha në burg”
-“Rama në burg, Belinda në burg”
-“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun”
-“Shqipëria kërkon revolucion”
-“Shqipëri e re”
-“Ju erdhi fundi”
-“Rama SPAK you!”
-“Parlament i krimit”
-“Revolucion”
Pas 48 ditësh rezistencë të pandërprerë, koordinatorët e protestës konfirmojnë se revolta nuk ka ndërmend të ndalet dhe se tubimi i sotëm do të jetë një tjetër tregues i vendosmërisë qytetare.
“Ne do të jemi në shesh çdo ditë. Kjo lëvizje vetëm sa do të rritet derisa zëri i sovranit të dëgjohet dhe të plotësohen të gjitha kërkesat tona,” janë shprehur organizatorët, duke ftuar sërish të gjithë qytetarët t’iu bashkohen në Bulevard.
