Arte Fugurative: – Detaji që dekodon një kryevepër

Dhjetor .2020

Një poçe e vogël argjile në pikturën “Las Meninas” të Velazquezit, zbërthen misterin e një prej veprave më të mëdha të shekullit XVII, shkruan kritiku i artit, Kelly Grovier. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi përmbledh si më poshtë..

Ndonjëherë një poç është vetëm një poç. Ndonjëherë është portal në një plan tjetër të perceptimit. Në kryeveprën e Diego Velezquezit të shekullit XVII, “Las Meninas” (Zonjat e oborrit), një tërësi e hijeve dhe pasqyrave, si dhe një enë balte e vogël e pavlerësuar në qendër të kanavacës, e shndërrojnë veprën nga një pamje e çrregullt e jetës së oborrit mbretëror, në një traktat për natyrën iluzore dhe transcendentale të ekzistencës. Fshije atë enë prej argjile nga qendra e pikturës së Epokës së Artë Spanjolle, dhe pushon pulsi i saj misterioz që ka marrë vëmendjen e vëzhguesve për më shumë se tre shekuj e gjysmë, qëkur VelazquezI e krijoi më 1656.

Për të kuptuar sesi prania, në dukje e rastësishme e një qeramike artizanale nga Amerika Latine, bëhet lenta vizionare përmes së cilës e njohim botën, duhet së pari ta kujtojmë kontekstin kulturor ku piktura u krijua, dhe atë që kjo pikturë synon të portretizojë. Në një aspekt, vepra është autoportret i artistit 57-vjeçar, i bërë katër vjet para vdekjes së tij më 1600 – pasi i kishte kaluar më shumë se tri dekada si piktor i oborrit të mbretit Filipi IV i Spanjës.

Paleta është në dorë, në anën e majtë të pikturës, ndërsa një si “selfie” e Velazquezit na vështron thuajse jemi subjekti që ai ishte i zënë për ta paraqitur në kanavacën e madhe para tij – pikturë brenda një pikture, sipërfaqen imagjinare të së cilës nuk mund ta shohim.