3 Maji 206

I mësuar me letra për ambasadorët dhe emaile që as skenaristët e filmave horror nuk i çonin në mendje, Erion Veliaj nuk i ndahet zanatit të vjetër, edhe në kohën kur ndodhet në qeli.

Nëpërmjet avokatëve të huaj, që Veliaj i paguan 450 mijë dollarë në vit, kërkojnë praninë e përfaqësuesve të ambasadave në vend në një proces administrativ që ka hapur kundër prokurorit Ols Dado, duke pretenduar se është emëruar në mënyrë të paligjshme.

“Kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit. Nëse një prokuror nuk ka kualifikimet ligjore për të mbajtur detyrën, çdo veprim i ndërmarrë nën atë autoritet është në thelb i dyshimtë”, pretendon Veliaj nëpërmjet avokatëve të tij, në letrën dërguar ambasadave në vend. Po përse ka rëndësi ky proces dhe përse qenka nevoja për diplomatët e huaj të ndjekin një çështje të tillë?

Veliaj e ka të qartë se asgjë nuk ndryshon në procesin e tij penal, ku mbi të rëndojnë nëntë akuza, por më shumë se burgu i vlen dukja, sidomos nëse ata janë të huaj. Që në hapat e parë të rrugës politike i përdori ambasadat si marketingun më të mirë polik, por edhe monetar, sidomos kur drejtonte organizatën Mjaft. Më vonë ishte një biçim koordinatori me sektorin e marrëdhënieve me jashtë në PS, kur nuk hezitoi as t’i niste një email eurodeputetes Tanja Fajon, duke pretenduar se “regjimi i Berishës kishte futur elementë kriminalë për t’i hequr fëmijën nga barku bashkëjetueses së krybashkiakut të sapozgjedhur socialist të Kavajës në vitin 2011”.

E gjithë karriera politike e mëtejshme e Veliajt u lidh ngushtësisht me çdo të huaj, ambasador, më pak se aq e më shumë se aq, për të dhënë çmime dhe marrë çmime, vetem në kuadër të propagandës. Së fundmi edhe nga qelia i rikthehet edhe një herë vesi i vjetër, për të bërë çështjen e tij “ndërkombëtare politike”, edhe pse zyrtarisht e akuzojnë për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në shumë raste.

Inatet me prokurorin Dado nisin që në paraditen e 10 shkurtit ku Erion Veliaj zbriti shkallët për herë të fundit si kryebashkiak i Tiranës, i shoqëruar nga agjentët e BKH-së, në zbatim të urdhër-arrestit të lëshuar për të. Dy prokurorët, Ols Dado dhe Altin Dumani, ky i fundit në atë kohë njëkohësisht edhe kreu i SPAK, i kërkuan gjyqtarit Erion Bani miratimin e urdhër-arrestit dhe ashtu ndodhi.

Pa u zbardhur dita e 11 shkurtit, Erion Veliaj nisi një sulm të hapur ndaj prokurorit Dado dhe gjyqtarit Bani, duke lënë mënjanë Dumanin (për aq kohë sa ky i fundit direkt dhe indirekt kishte vlerësimet e Ramës), vlerësime që nuk ia kurseu edhe ditën e përfundimit të mandatit të kreut të SPAK. Veliaj e mbajti gjatë sulmin ndaj Dados, duke mos u ndalur në asnjë çast dhe tashmë kërkon ta “ndërkombëtarizojë” procesin me praninë e ambasadorëve të huaj, duke shpresuar se më 8 maj ata do jenë në sallë si “vëzhgues” të shfaqjes Veliaj!/ Nga Boldnews.al