Ardian Dvorani, piloti që shkel rregullat, por i shtohen pikët në patentë

16/11/19

Nga: mapo.al

Nëse do e krahasojmë rrugëtimin e Ardian Dvoranit në drejtësi, me një ecje me makinë, do shohim se shoferi është një tip i nxituar e nget me shpejtësi, nuk pyet për sinjalistikë apo ndalesa, e sidomos bën gjithë kohës parakalime të gabuara, por asnjëherë nuk penalizohet nga policia, përkundrazi i shtohen pikët në patentë. Nga vetura, ai kalon te peshat e renda, te kamionët dhe tek autobusët e mëdhenj, siç janë organet kryesore të drejtësisë.

As nuk paralajmërohet përshembull gjyqtari Dvorani që vazhdon nga rendjen në sistemin e drejtësisë në demokraci, edhe pse kishte dhënë vendime të rënda në kohën e diktaturës, madje deri në vitin ‘90, kur dënoi ata që rrëzuan bustin e Stalinit në Shkodër. Asnjë masë, për këto kundërvajtje të vogla.

Është kapur në flagrancë në parakalime të tilla që vetëm ai i ka bërë. Qëndron 5 vite më shumë, përtej mandatit kushtetues, si anëtar i Gjykatës së Lartë. Teksa ligji themelor e përcaktonte termin e shërbimit në këtë detyrë, 9 vite në mënyrëtaksative, i bie qëDvorani të ikte në vitin 2014. Por ai vazhdon edhe sot e kësaj dite aty. Askush nuk i tha gjë, edhe kur Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshëm qëndrimin përtej afatit. Tani erdhi koha që me rilindjen, shoferi Dvorani të bëhej gati për të drejtuar mjetet e rënda.

U kap në veting me pasuri të pashpjeguar, me formular gjysmak, dhe çfarë ndodhi? E kaloi. Edhe pse faktet për përfitimin e shtëpisë nga Albtelekom e nxirrnin në konflikt interesi, e sidomos pjesa e përfitimit të uljes së çmimit, bash në kohën kur shërbente si gjykatës i lartë. Organet e vetingut, u njohën me prova dhe me fakte si ato, që ky kishte qenë disa herë drejtues i trupës gjykuese pikërisht tëçështjeve ku paditej Albtelekom, por sërish gjithçka u kalua sikur të mos ekzistonte. Për shumë më pak, gjykatës e prokurorë e kanë parë veten jashtë sistemit. Por shoferi Dvorani vazhdon të ecë në korsinë e shpejtësisë pa u ndalur. Dhe vjen kundërvajtja tjetër. Ngjitet në krye të KED me rilindjen, edhe pse ligji thotë se të marrësh këtë detyrë, duhet të kesh mbaruar magjistraturën. A e ka bërë magjistraturën Dvorani? Jo. Por ky jurist është special, i lejohet. Tani në krye të KED, ku bëhen vlerësimet për gjykatësit dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, po luan muzikën që i takon. Siç është përpjekja ekstra ligjore e ekstra procedurale për të kapur Gjykatën Kushtetuese, me gjithë marifetet e mundshme, me vonesa e akte në errësirë. Në fund të fundit, ai është shoferi pilot i rilindjes, dhe i lejohen të gjitha. Ndërkohë, po bëjmë shtet.