Anti KCK, film me metrazh te shkurt.

Kreu i partise “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi ne nje reagim per aktualitetin politik, ne nje ane me operacionet Anti KÇK  dhe ne anen tjeter, ate qe e quan filma me metrazh të shkurtër, videoklipe e premtimet per zgjedhje të parakohshme, keshillon shqiptaret ta marrin me qetesi kete vit. 

Ne nje shenim ne faqen e tij ne Facebook, Patozi, shkruan se “Për ata që gënjehen lehtë është e sigurt se do të jetë i mbushur me ngjarje dhe dukuri të rralla dhe të jashtëzakonshme”.

Sipas tij, “Të gjithë janë në rolin e tyre për të na marrë vëmendjen që të mos kuptohet se i vetmi vendim që kanë marrë është mosndryshimi i statuskuosë. Sikur e kam para syve 15 marsin e kuartetit të famshëm të Këshillit Politik, që do të prodhojë asgjënë e parë. Dhe pastaj do të kërkohet të blihet një kohë tjetër, e kështu me radhë deri në fund”.

Postimi i Patozit 

DUHET MARRË ME QETËSI KY VIT…

Duhet marrë me qetësi ky vit, se është shumë shpejt për t’u mërzitur. Për ata që gënjehen lehtë është e sigurt se do të jetë i mbushur me ngjarje dhe dukuri të rralla dhe të jashtëzakonshme.
Nga njëra anë do të gjëmojnë daullet e rindërtimit prej tërmetit dhe topat e luftës me KÇK-në, ndërsa nga ana tjetër do të bombardoheni me filma me metrazh të shkurtër, videoklipe, por sidomos me premtime për zgjedhje të parakohshme, të cilat janë gjithmonë te pragu i derës, që vetëm në çastin e fundit nuk hapet.
Madje edhe bandat do të bëjnë sikur janë trembur dhe janë strukur nga kjo goditje e pamëshirshme e shtetit prej kartoni, sepse edhe ato e dinë se fushatat mbarojnë shpejt.
Dalëngadalë do të harrohen arsyet që sollën atë paqe të papritur dhe mbi të gjitha kushtet e shenjta të Bundestagut, që dy javë më parë shërbenin si flamur për të udhëhequr tufat e armiqve të qeverisë.
Të gjithë janë në rolin e tyre për të na marrë vëmendjen që të mos kuptohet se i vetmi vendim që kanë marrë është mosndryshimi i statuskuosë. Sikur e kam para syve 15 marsin e kuartetit të famshëm të Këshillit Politik, që do të prodhojë asgjënë e parë. Dhe pastaj do të kërkohet të blihet një kohë tjetër, e kështu me radhë deri në fund.
Dalëngadalë do të biem në vitin tjetër me të njëjtat halle dhe me të njëjtët cuba, që i hakërrehen njëri-tjetrit, për faje dhe krime të përbashkëta, gjithmonë duke u ankuar se për të ndryshuar diçka në rendin e punëve në Shqipëri nuk ka asnjëherë kohë.

Gazeta Panorama