Albin Kurti flet pas takimit me Ramen: – Ne jemi njerëz të ndryshëm. Për “Shengenin ballkanik” pres të shoh një tekst, më ngjan si…

26 tetor 2019

“Nevojat që kanë qytetarët janë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojmë të gjithë. Prandaj ne duam të krijojmë sa më shumë ura, që qytetarët të mos jenë më më të varfërit e më të papunët e më të nëpërkemburit në Ballkan”.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, kreu i VV, Albin Kurti, i cili ndodhet në Tiranë dhe pas takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Edi Rama, duke folur për mediat në Samitin e Paqes për Europën Juglindore, dha detaje nga ky takim, teksa foli edhe për të ashtuquajturin Shengeni Ballkanik.

“Pres që ta shoh një tekst që të shoh saktësisht se cfarë nënkupton ai. Më ngjan më shumë si një ide, sesa një projekt. Diskutuam për cështjet dhe temat që do të bashkëpunojmë”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë i pyetur nga gazetarët, nëse janë thyer akujt mes tij dhe Ramës, Kurti u përgjigj:

“Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara, ne jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, duam që të punojmë që diferencat që kemi kurrsesi të mos rrezikojnë bashkëpunimin tonë”.

Gazeta Panorama