Adriatik Lapaj: – Unë ja kam fajin Ballukut pse vjedh 53 mln eurot e tunelit?!

6 Janar 2026
Ndërsa akuzoi Policinë e Shtetit për ushtrim dhune dhe kërcënime, si dhe qeverinë për presione të vazhdueshme dhe moslejimin e protestës demokratike para Kryeministrisë në bulevard, kreu i Shqipëria Bëhet akuzoi mazhorancën për skandalet e mëdha korruptive që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Ai kujtoi aferat më të mëdha të kohëve të fundit, si Tuneli i Llogarasë në Vlorë, AKSHI apo Inceneratorët, duke ngritur një pyetje publike drejtuar qeverisë dhe funksionarëve të saj: “Unë e kam fajin pse vidhni ju?”.
Ai theksoi se nuk do të largohet nga bulevardi dhe karrigia, edhe pse i kanë hequr çadrat dhe ngrohësen, njëra prej të cilave e dëmtoi rëndë në kokë, sa iu desh të merrte mjekimin te Trauma.
“Unë ja kam fajin Belinda Ballukut që vjedh 53 milionë euro të tunelit në Llogara të Vlorës dhe nuk dihet ku kanë shkuar, unë ua kam fajin për çokollatat e AKSHI-t që janë miliona të harxhuara. Apo për milionat e inceneratorëve që nuk djegin asgjë, janë mbi 400 milionë euro?”, tha Lapaj para mediave dhe mbështetësve të tij.
Ai u shpreh se misioni i tij është për qytetarët dhe jo për oligarkët dhe të korruptuarit, kurse protesta ishte një simbol për çlirimin e Shqipërisë nga të korruptuarit.
Lapaj sqaroi se nuk ka asgjë personale me Ramën dhe Ballukun si persona, edhe pse kryeministri shpesh merret me familjet e të tjerëve sipas tij, por e ka me detyrat që ata përfaqësojnë dhe rolin e funksionarëve që janë nën hetim të drejtësisë.
“Me Belindën si njeri dhe grua s’kam asnjë problem, e kam me funksionarin e shtetit. Nuk e kam me Belindën si grua, por si ministre e zv/kryeministre që ka vjedhur dhe është marrë nën akuzë për korrupsion nga drejtësia. E kam me Edi Ramën që mbron Belinda Ballukun, e akuzuar për vjedhje nga prokuroria, ai i ka dalë në mbrojtje. Unë nuk merrem me familjen e tij, edhe pse ai merret me tonat, unë e kam me atë si drejtues të qeverisë”, tha Lapaj.
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zbuluar sot edhe një skandal në administratë ku sipas tij, mijëra njerëz që përfitojnë pagën e shtetit, pa shkuar në punë.
“Patronazhistët ta dinë se nuk më ndikojnë fare. Ka mijëra persona që hanë meze tek lokali i lagjes pa shkuar në punë dhe marrin rrogën. Ka dhe mijëra të tjerë që jetojnë jashtë shtetit dhe marrin pagën. Shiko çfarë marifeti kanë bërë. Paguajnë vetëm sigurimet për efekt pensioni dhe pagën e tyre e përfitojnë ata që i kanë future në punë. Ka njerëz që jetojnë në New York dhe marrin rrogën në Ujësjellës, marrin rrogën në ushtri. Ai jeton në Gjermani e Amerikë. Si mos t’i them unë këto gjëra? Është tradhti ndaj atdheut”, deklaroi Lapaj.
Në fund ai ngriti shqetësimin se protestuesit në shesh jo vetëm dhunohen dhe kërcënohen, por edhe vidhen në mënyrë të turpshme dhe Policia nuk bën asgjë.
“Edhe ne këtu na kanë vjedhur, çanta, telefona dhe sende materiale. Janë vjedhur çantat e gocave këtu, madje edhe mikrofonin na e kanë vjedhur këtu. Kjo është protestë simbolike, është simbolike”, përfundoi Lapaj.

