13 Mars 2026

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar numri i punonjësve në sektorin shtetëror u zgjerua më tej duke arritur në 186,581 persona, teksa numri mesatar për të gjithë vitin 2025 ishte 185,386  punonjës.

Sipas të dhënave zyrtare te INSTAT në krahasim me vitin 2024 administrata publike u zgjerua me rreth 3 mijë punonjës ose me 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë në që nga viti 2002.

Në vitin 2002, vendi numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbehej nga rreth 186 mijë punonjës publikë. Vitin e kaluar, 23 vite më pas popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë, një tkurrje që reflekton plagët e emigrimit dhe rënies së lindshmërisë.

Megjithatë, në vend që të ndiqte këtë trend rënës apo të reflektonte automatizimin e shërbimeve përmes investimeve qindra miliona eurosh në platforma digjitale, numri i punonjësve në administratë ka shënuar rritje të shpejtë sidomos pas vitit 2018.

Në vitin 2014, fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona.

Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth mbi 185 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë. Që nga 2024 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 76 për qind.

Rritja nuk ka qenë vetëm në numrin e punonjësve dhe fondet për paga. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 mln euro.

Qeveria e ka paraqitur digjitalizimin si një nga shtyllat kryesore të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se shqiptarët e përdorin e-qeverisjen më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, për shkak se shumë shërbime tashmë mund të merren vetëm online. 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të mëparshëm, në krahasim me 72% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

shqiptaret-e-perdorin-e-qeverisjen-me-shume-sesa-mesatarja-e-bashkimit-europian

Megjithë këto investime, shërbimet publike digjitale kanë shfaqur probleme serioze funksionimi gjatë muajve të fundit. Platforma kryesore e-Albania e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke krijuar vështirësi reale në marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore këtë vit.

Kalimi i shërbimeve online duhet të kishte sjellë një administratë më të vogël, por shifrat dëshmojnë se për çdo qytetar që largohet nga vendi, barra e administratës mbi ata që mbeten bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në vitin 2003, kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës shteti, ndërsa në vitin 2025 ky raport pritet të ngushtohet në më pak se 13 banorë për një punonjës, duke e kthyer sektorin publik në një strukturë të fryrë që nuk i përgjigjet realitetit të ri demografik dhe as modernizimit të paguar shtrenjtë nga taksapaguesit./ Monitor