I riu ndalon brenda lokalit Endrit Shabanin: “Palaço, tradhtar, si nuk të vjen turp…”

1 Nentor 2026
Nga Dori Xhima
Një video e shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, tregon një të ri i cili ndalon në një lokal Endrit Shabanin, duke i thënë hapur “palaco dhe tradhtar, si s’të vjen turp”.
Pamje të tilla risjellin në vëmendje zhgënjimin e madh të opinionit rinor ndaj atyre që dikur premtonin ndryshim, por përfunduan duke u integruar në mekanizmat e pushtetit.
Për vite me radhë, z.Shabani u paraqit në skenën politike si drejtues i një lëvizjeje alternative (Nisma Thurje), e cila premtonte se do të sillte një standard të ri, duke luftuar kastën e vjetër politike dhe marrëveshjet prapa krahëve mes dy poleve tradicionale.
Por, trajektorja e tij mori një kthesë të papritur, e cila u vulos përfundimisht në dhjetor të vitit 2025, kur ai pranoi postin e Avokatit të Popullit pikërisht nga ata që denonconte.
Fjalët e drejtpërdrejta të qytetarit tregojnë qartë se tashmë ka një pjesë të shoqërisë që nuk harron lehtë kur dikush, për hir të një karriere apo post zyrtar, harron idealet dhe shpresën që kishte zgjuar te të rinjtë.
Rasti shërben edhe si pasqyrë e qartë e asaj pse politika në Shqipëri vuan nga mungesa e besimit. Janë alternativa të reja që.digjen shpejt në tryezat e pazareve politike.
Fatkeqësisht dëmi më i madh nuk i bëhet vetëm karrierës së një individi, por vetë idesë se ndryshimi është i mundur në këtë vend.
Nga: Gazeta Dita
