1 Nentor 2026

Bolivia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në shkallë kombëtare për shkak të pasojave të fenomenit klimatik El Niño, i cili pritet të sjellë thatësira të rënda dhe përmbytje në disa rajone të vendit.

Dekreti u firmos të shtunën nga presidenti bolivian, Rodrigo Paz, me qëllim mobilizimin e burimeve financiare dhe logjistike për përballimin e situatës, si dhe shtimin e ekipeve të shpëtimit në zonat më të prekura.

El Niño do të ketë “pasoja shumë të rënda në drejtim të thatësirave dhe përmbytjeve”, deklaroi Paz, duke theksuar se për përballimin e kësaj situate nevojitet “bashkëpunimi i të gjitha institucioneve”.

Sipas një raporti të publikuar nga qeveria gjatë kësaj jave, thatësira ka prekur tashmë rreth 78 mijë familje në gjashtë nga nëntë rajonet administrative të Bolivisë. Situata ka shkaktuar gjithashtu humbjen e më shumë se 75 mijë krerëve të bagëtive, duke rënduar gjendjen ekonomike të fermerëve dhe blegtorëve.

Përveç thatësirës, vendi përballet edhe me rrezikun e përmbytjeve. Në dhjetor të vitit 2025, përmbytjet në rajonin e Santa Cruz shkaktuan dhjetëra viktima. Pasojat e fenomenit klimatik nuk kufizohen vetëm në Bolivi. Edhe vendet e tjera të Amerikës së Jugut kanë regjistruar kushte të pazakonta atmosferike.

Kryeqyteti i Kilit, Santiago, përjetoi tetorin më të lagësht të regjistruar ndonjëherë, ndërsa zjarret në Peru shkaktuan të paktën 12 viktima gjatë muajit të kaluar.

El Niño është një fenomen natyror klimatik që përsëritet afërsisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe lidhet me rritjen e temperaturave të sipërfaqes së ujërave të Oqeanit Paqësor. Ky ndryshim ndikon në qarkullimin e erërave, presionin atmosferik dhe modelet e reshjeve në pjesë të ndryshme të globit. Intensiteti i fenomenit dhe pasojat e tij ndryshojnë në varësi të rajonit, duke shkaktuar në disa zona thatësira të zgjatura, ndërsa në të tjera reshje intensive dhe përmbytje.

Sipas parashikimeve shkencore, cikli aktual mund të jetë një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë. Ai pritet të arrijë kulmin në fund të vitit 2026, ndërsa ndikimet mund të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027. Shkencëtarët paralajmërojnë se pasojat e këtij fenomeni mund të jenë veçanërisht të rënda për vendet më të varfra, të cilat kanë kapacitete më të kufizuara për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore. Disa parashikime vlerësojnë se El Niño mund të lidhet me më shumë se 450 mijë viktima në shkallë globale.

Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike raportoi në fillim të shtatorit një probabilitet prej gati 100% që fenomeni El Niño të vijojë të jetë aktiv deri në shkurt të vitit 2027. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Bolivi synon të përshpejtojë reagimin e autoriteteve përballë rreziqeve klimatike, në një kohë kur mijëra familje po përballen me pasojat e drejtpërdrejta të thatësirës dhe përmbytjeve.