Thatësira dhe shfrytëzimi i ujit për prodhimin e energjisë ul nivelin e liqenit të Kukësit, dalin në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër

1 Nentor 2026
Thatësira e tejzgjatur dhe shfrytëzimi i ujit për prodhimin e energjisë elektrike kanë sjellë rënie të ndjeshme të nivelit të liqenit të Kukësit, i cili shërben si rezervuar për hidrocentralin e Fierzës.
Prurjet e Drinit, që kanë zbritur nën 80 metra kub ujë në sekondë, ndërsa agregatët vijojnë të jenë në punë, kanë përshpejtuar uljen e nivelit të liqenit.
Si pasojë, në sipërfaqe kanë dalë sërish rrënojat e Kukësit të vjetër. Në horizont dallohen ish-qendra e qytetit, monumenti i Zogut të Parë dhe bunari, ndërsa janë zbuluar edhe këmbët e urës së vjetër të Kukësit.
Por tërheqja e ujit nuk ka vetëm pasoja historike. Ajo po dëmton edhe habitatin ujor. Qindra molusqe kanë ngordhur dhe kanë mbetur në brigjet e liqenit.
Të dhënat zyrtare të KESH-it ende nuk janë përditësuar, por niveli i ujit vlerësohet të ketë zbritur nën kuotën 250 metra, ndërsa prurjet mbeten shumë poshtë mesatares vjetore.
Kjo situatë shton rrezikun e kufizimit apo stakimit të agregatëve të hidrocentralit të Fierzës.
Dalja në sipërfaqe e rrënojave të Kukësit të vjetër është një fenomen i rrallë, por këtë vit ato janë shfaqur dy herë brenda dhjetë muajve.
