Thesaret orientale të Bibliotekës Kombëtare Tirane, 3300 libra e dorëshkrime të rralla

13 Mars 2026
Në frymën e muajit të bekuar të Ramazanit, në një kohë reflektimi, sakrifice dhe besimi, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit solli në vëmendje Sallën Orientale të Leximit pranë Qendrës “Sotir Kolea” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo qendër ruan një pasuri të rrallë prej rreth 3300 librash dhe dorëshkrimesh në gjuhët perse, osmane, arabe dhe turke, që dëshmojnë një traditë të gjatë kulturore, fetare dhe intelektuale ndër shekuj.
MTKS ftoi të apasionuarit e librave ta vizitojnë Sallën Orientale, për të zbuluar nga afër thesaret e çmuara që ruhen në këtë koleksion të veçantë.

Mes këtyre materialeve gjendet edhe një Kuran i dorëshkruar në arabisht, me një kaligrafi elegante që daton në vitin 1328, sipas kalendarit Rumi, pamjet e të cilit qendra i publikoi në nisje të muajit të Ramazanit.
Qendra “Sotir Kolea” është një mjedis i qetë dhe frymëzues, ideal për lexim, studim apo edhe punë kreative.
Mjedisi është i pajisur me literaturë të ndarë sipas gjuhëve, nga gjermanishtja tek italishtja, nga gjuhët orientale të greqishtja e lashtë dhe latinishtja. Gjithashtu stafi i kësaj qendre është i përkushtuar dhe i gatshëm për të ndihmuar në gjetjen e librit të duhur, apo në perfeksionimin e një ideje të re./ATSH
