6 Janari datëlindja e Sandër Prosit, kolosit të kinematografisë shqiptare

7 Janar 2026
Më 6 janar të vitit 1920 lindi aktori Aleksandër Prosi, Nderi i Kombit (1920-1985).
Ai ishte një figurë madhështore, zëri, vështrimi dhe karakteri i fuqishëm i të cilit gdhendën në pelikul, personazhe historikë të cilët brezat i kujtojnë me tiparet e Sandër Prosit.
Pas zërit dublant në filmin “Skënderbeu” (1953) aktori Sandër Prosi deri në vitin 1972 ka interpretuar në 12 filma artistikë, që e bënë atë, aktorin më të angazhuar në kinemanë shqiptare të fazës së parë: “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1969), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971) dhe “Yjet e netëve të gjata” (1972).

Imazhi i tij është ngulitur në kujtesën e shqiptarëve veçanërisht me personazhin e Ismail Qemalit, në filmin “Nëntori i dytë”, me regji të Viktor Gjikës (1982).
E ëma e Sandrit ishte shkodrane, ndërsa nga i ati kishte prejardhje vllehe, nga Voskopoja. Në teatër, krijoi mbi 85 role në vepra të autorëve si Andon Zako Çajupi, Kolë Jakova, Besim Levonja, Loni Papa, Ismail Kadare, Teodor Laço, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.
Në kinematografi, interpretoi në rreth 30 filma, duke lënë pas një galeri të rrallë personazhesh, një shkollë aktrimi dhe një pikë referimi për të gjithë brezat e rinj. U nda nga jeta më 25 mars 1985, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”. Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera.
