Nga Gjergj Erebara/ BIRN

Të tre tenderët e marra sëbashku do të kushtojnë rreth 51 milionë euro sipas rezultateve të tenderëve. Kjo do të thotë se çdo kilometër rrugë do të kushtojë afro 3.7 milionë euro dhe çdo metër linear do të kushtojë 3700 euro. Për çdo metër katror rrugë, kostoja e pritshme është rreth 393 euro.

Përveç loteve 4,5 dhe 6, rruga Kardhiq Delvinë ka edhe dy lote të tjera të cilat përfshijnë një tunel afro 900 metra të gjatë. Këto dy lotet e fundit nuk janë planifikuar të financohen këtë vit, por pritet që tenderi për to të hapet në vitin 2019. Tuneli pritet të kushtojë 2.8 miliardë lekë ose 22.2 milionë euro dhe do të ketë kosto për metër linear prej 26,700 eurosh.

Aktualisht nuk është publikuar ndonjë studim fizibiliteti për leverdisshmërinë e këtij segmenti rrugor. Nëse do të realizohet deri në fund, rreth vitit 2022 nga Tirana për në Sarandë do të mund të udhëtohet duke u kthyer në drejtim të fshatit Kardhiq, 9 kilometra para se të mbërrihet në Gjirokastër. Nga kjo pikë, Saranda është 46 kilometra larg. Alternativa tjetër nga rruga ekzistuese përmes Qafës së Muzinës është rreth 65 kilometra, me një shkurtim prej rreth 20 kilometrash.

© SYRI.net