26 Mars 2024

Koleksioni i 400 fluturave dite dhe nate dhe specieve të tjera të ekspozuara në muzeun natyror të Divjakës po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorët vendas e të huaj.

Administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, si dhe krijuesi i këtij muzeu Altin Hila tha për ATSH-në se “vijon të jetë i lartë interesi i vizitorëve si nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga të huajt për këtë muze, të cilët shijojnë botën magjike të fluturave, insekteve, molusqeve dhe të disa specieve të rralla”.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar ky muze u vizitua nga 4700- 4900 vizitorë. Ndërsa këtë vit pritshmëritë janë për një numër më të lartë”, tha Hila.

Për krijimin e këtij muzeu Hilës i janë dashur mbi 20 vite përkushtim.

20 vite përkushtim për muzeun e fluturave në Divjakë

Ditët e fundit një vëmendje të veçantë, Hila po i kushton monitorimit të daljes së fluturave nga pupa, për të cilën ai ka pritur gati dy vite.

“Ashtu si shumë gjallesa që vuajnë ndryshimet e ekosistemit, edhe fluturat janë drejt zhdukjes. Nga viti në vit popullata e tyre po shkon drejt humbjes dhe po të vazhdojë kështu përtej shumë e shumë anomalive që do sjellin në ekonomi, do të ngelen si përralla nëpër libra për brezat që vijnë”, u shpreh Hila.

Hila tha se “këto janë flutura na kanë marrë dy vite punë për të arritur deri në këtë dalje. Pra një flutur ka dy vite që ka qenë pupë. Dhe mbas dy vitesh po del nga pupa “strofulla” e saj. Pas daljes nga pupa, fluturat do të lëshohen në natyrë me shpresën e riprodhimit të lirë”.

Hila bën të ditur se “fluturat janë terapi për njerëzit. Për fëmijët ato janë ilaç dhe nxitës i ndërgjegjes në zhvillimin mendor. Ashtu si bletët, ato janë përgjegjëse për vazhdimësinë e jetës në tokë. Falë pllenimit të luleve ato realizojnë frutifikimin dhe shtimin e bimëve. Pra kanë përgjegjësi të madhe mbi tokë”.

20 vite përkushtim për muzeun e fluturave në Divjakë

Në Divjakë – Karavasta jetojnë 90% e specieve kombëtare. Ky ambient ka vlera kombëtare tashmë duke qenë i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi.

Mes specieve të ekspozuara në muze është edhe flutura monarku afrikan ( Danaus Krispus) e cila emigron nga Afrika dhe vjen këtu në Divjakë duke u kthyer në atraksion dhe simbol për zonën ashtu si pelikani apo flamingot.

20 vite përkushtim për muzeun e fluturave në Divjakë

Po ashtu mes molusqeve e specieve detare ndodhet edhe midhja me e madhe e ujërave te bregdetit tone Pina nobilis. Kjo specie tashmë është në rrezik zhdukje në shkallë botërore. Po ashtu dhe shumë të tjera që tashme ndodhen në librin e kuq.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.