Zhulali kerkon Romen

Zhulali kërkon Romën
Por drejtoria nuk tërhiqet, pra nuk tërhiqet drejtori artistik, fituesi i çmimit të dytë, i zoti i shtëpisë, kompozitori Edmond Zhulali. Tani çdo qytetar të cilit i intereson sado pak kënga, ka të ngjarë të ngrejë një pyetje: ku e gjen energjinë një kompozitor, një nëpunës i zakonshëm, t'iu kërkojë aq mijë njerëzve që kanë kontribuar si qytetarë të shtetit me 200 milionë lekë për të prodhuar festivalin e RTSH, t'i kthejnë në vend "nderin" që kompozitori mendon se ia kanë vjedhur dy anëtarë jurie dhe që i hoqën nga goja çmimin e parë.

Prandaj ai, Edmond Zhulali, shkoi ta kërkojë pa droje me shkrim dhe me gojë dje tek Këshilli Drejtues i RTSH-së të cilit i paraqiti ankesën e pabesueshme: të ringrihet një juri e re e festivalit për të bërë rivlerësimin këngëve. Pra Zhulali kërkon Romën dhe e do të re. "Ishim pothuaj unanim në refuzimin që i bëmë kësaj kërkese" na pohoi dje menjëherë pas mbledhjes, kryetari i KDRTSH, Agron Tufa. "Zotit Zhulali iu bë e qartë që këshilli drejtues nuk ka asnjë bazë ligjore që t'i japë të drejtën për të rishikuar vendimin e jurisë. Veç kësaj iu vu në dukje që s'ka të drejtë të konkurrojë në festival një njeri që është drejtor artistik i festivalit. Kurdo kur mund të ketë ndodhur kjo, ka qenë konflikt i pastër interesi", theksoi Tufa për të cilin pretendimet e Edmond Zhulalit ishin krejtësisht personale.

Anëtari i Këshillit Drejtues, botuesi Fatmir Toçi, ballafaqimin e djeshëm as nuk e priste, meqë kish besuar se gjithë deklaratat e ulëta që kishin ardhur pas festivalit nga drejtuesit e tij, mund të kishin qenë gjaknxehje e momentit. Kish pritur prej tyre një falje publikut. Por një nga kulmet e ankesës së kompozitorit ka qenë këmbëngulja për të përfshirë doemos në këtë histori Kosovën, Serbinë, patriotizmin dhe turpin tani që dy këngëtaret e tij nga Kosova nuk mund të na përfaqësojnë në Beograd. "Ky është një qëndrim primitiv dhe një patriotizëm në gjëra që s'kanë vend. Kisha pritur një falje publike që nuk erdhi nga drejtuesit e festivalit. Nga ana tjetër, duket sikur gjithçka është vënë në shërbim të EuroSong, kur festivali duhet të bëhet në radhë të parë për dëgjuesin shqiptar",- tha Toçi. Botuesi i ka quajtur absurde kërkesat e Zhulalit i cili pas kësaj përpjekjeje të dytë mendohet të dalë me një deklaratë për shtyp. Është e habitshme kjo këmbëngulje që mbështetet padyshim dhe në pozita të forta që ky njeri ka në RTSH, përndryshe askush nuk do kish lejuar të ndodhë që një dirigjent të bëjë tenorin në skenë.

"Juria që ka dhënë vendimet e këtij festivali ishte krejtësisht e pavarur që në momentin që u zgjodh nga drejtuesit e vetë festivalit", vazhdon Toçi "dhe ajo e mbaroi funksionin e saj".

Mbledhja e radhës e KDRTSH do të jetë në janar. Tufa ka kërkuar që objekt diskutimi të jetë ringritja e statutit të festivalit të këngës ku të përcaktohet saktë ai mekanizëm që do t'iu priste rrugën gjithë parregullsive të ngjarjes muzikore të vitit, që nga konfliktet e interesit e deri tek moslejmi me më shumë se një këngë a një tekst i autorëve konkurrentë.

Elsa Demo : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama