Zhduket telefonata qe e nxori Kryeziun nga shtepia

Zhduket telefonata që e nxori Kryeziun nga shtëpia
Zhduken në mënyrë të dyshimtë edhe ato pak prova që hedhin dritë mbi mënyrën e rrëmbimit të Ismet Kryeziut. Telefonata që e ftoi Kryeziun të dilte nga shtëpia nuk ndodhet te lista e tabulateve. Anila Leli, bashkëshortja e të humburit, gjatë dëshmisë 8- orëshe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deklaroi se ditën kur është zhdukur Ismeti, dikush e ka marrë në telefon rreth orës 16:20, ndërsa ai i është përgjigjur se "erdha për 5 minuta". Por Leli është befasuar nga provat e policisë, të cilët kanë në dorë edhe listën e telefonatave të Kryeziut ditën e rrëmbimit, sipas të cilave rezulton se ai nuk ka kryer apo ka marrë telefonatë në orën 16:20, ndryshe nga pretendimi i bashkëshortes.

 Gjatë dëshmisë 8-orëshe, gruaja ka pranuar të rrëfejë të gjitha enigmat, nga vizitat e Kryeziut në shtetin e Iranit e deri te jeta e tyre në Kosovë. Dëshmia e bashkëshortes Anila Leli, bashkëshortja e Ismet Kryeziut, ka dëshmuar disa ditë më parë në zyrën e Antiterrorit, në Policinë e Shtetit, momentin e largimit të të shoqit. E pakënaqur nga "ngathtësia" e policisë, pasi pretendon se me veprimet aktuale po tentohet të mbyllet çështja, ka kontaktuar avokatin Idajet Beqari, i cili është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismet Kryeziut. Pas negociatave me Ministrinë e Brendshme, ajo është pritur nga drejtori i Drejtorisë për Luftën Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, Tonin Vocaj, i cili organizon një plotësim të kallëzimit. Leli shpjegon momentin e largimit të të shoqit nga banesa. Sipas saj, më datën 15 nëntor, rreth orës 16:20, Ismeti merr një telefonatë nga një person.

"Ai ishte në dhomën e gjumit, ndërsa derën e kishte lënë pak hapur. Te salloni i shtëpisë ndodhesha unë dhe babai im. Ne dëgjuam një pjesë të bisedës telefonike, ku Ismeti tha se ‘erdha për pesë minuta‘. Më pas doli dhe s‘u kthye më...", mësohet se ka deklaruar bashkëshortja. Gjatë dëshmisë, hetuesit i kanë dhënë një dokument, ku rezulton se ditën që është zhdukur, Ismeti nuk ka marrë asnjë telefonatë në atë orë. Gruaja ka këmbëngulur se është vetë dëshmitare, madje këtë fakt e konfirmon edhe babai i saj. Ajo ka ngritur dyshimin se dokumenti i policisë mund të jetë i falsifikuar. Por përgjigjja e hetuesve të çështjes është se telefonata e fundit e bashkëshortit të saj është kryer në orën 18:28, kur ka marrë në telefon Anilën dhe i ka thënë se "dola në kafe". Nisur nga të dhënat e mësipërme, Anila Leli u sugjeroi grupit hetimor se dosja mund të klasifikohet si rrëmbim i pastër, pasi prej kohësh bashkëshorti i saj është mbajtur nën vëzhgim nga shërbimet inteligjente të disa vendeve. Më pas, ka sqaruar edhe lidhjet dhe vizitat e bashkëshortit në një shtet që "nuk i pëlqen" Perëndimit, duke nënkuptuar Iranin. Lëvizja e Kryeziut Seanca maratonë e pyetjeve të Anilës dhe babait të saj ka vazhduar me lëvizjet e Ismet Kryeziut drejt Turqisë dhe Iranit.

Ajo ka shpjeguar se një ditë para se të zhdukej, Ismeti kishte mbërritur pas një vizite në vendin "armik" të vendeve perëndimore. "24 orë para se të zhdukej, Ismeti mbërriti pas një vizite të kryer në Iran. Para se në nisej më tha se, nga Rinasi do të shkonte në Stamboll për disa punë. Kur mbërriti më tha se kishte shkuar edhe në Iran së bashku me një shokun e tij nga Kosova. Arsyeja ishte se miku i tij kishte bashkëshorten sëmurë dhe ajo do të kryente një transplant veshkash. Duke qenë se Ismeti kishte disa lidhje në Iran, i rregulloi një operacion me një çmim më të lirë se në vendet perëndimore. Madje Ismeti, pas ardhjes nga Irani, më tha se mund të dërgonte edhe nënën time, pasi vuan nga një sëmundje në gju", mësohet se ka deklaruar Anila Leli në polici.

Hetimet, Kryeziu u rrëmbye

Policia ngre akuzën e rrëmbimit për zhdukjen e Ismet Kryeziut. Faktet e mbledhura deri tani çojnë vetëm në një pistë, atë të rrëmbimit, megjithëse motivi ende nuk është kthjelluar për strukturat e specializuara të policisë. Kjo konfirmohet edhe nga prokuroria, e cila ia ka kaluar çështjen për hetim seksionit të antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ndryshimi i statusit të personit të zhdukur ka ndryshuar në momentin që bashkëshortja e tij është rimarrë në pyetje dhe ka pranuar rastin e një borxhi, ku ishte përfshirë edhe Ismet Kryeziu. Pasi ka deklaruar më parë se aktivisti kosovar për çështjet kombëtare është larguar nga banesa dhe se nuk ka prova apo të dhëna që mund të hetohet për ndonjë pistë tjetër, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për rrëmbim dhe po heton më shumë mbi këtë linjë. Burimet hetimore deklarojnë se janë qartësuar edhe lëvizjet e tij, deri te kontaktet me miq të vjetër në UÇK apo takimi me një shtetas irakian, me të cilin ka kontaktuar për një dhuratë. Dosja e tij po rishikohet edhe nga sektori i antiterrorit, për faktin se për një kohë relativisht të gjatë Kryeziu është mbajtur nën vëzhgim për çështjen e tre iranianëve, të cilët nuk janë lejuar të vizitojnë Shqipërinë, në kohën kur ai kishte dalë garant për ardhjen e tyre. Më 15 nëntor, rreth orës 18:30 të së shtunës, Kryeziu u largua nga banesa, me justifikimin për të takuar dy miq dhe nuk u kthye më. E shoqja denoncoi largimin e tij mëngjesin tjetër. Kryeziu është njohur si një ndër miqtë e Remzi Hoxhës dhe që ka qenë aktivist për çështjet kombëtare që në vitet ‘80. Ai është arrestuar disa herë për akuza të fabrikuara ndaj tij, që nga UDB-ja, policia shqiptare dhe UMNIK-u në Kosovë.

Policia: Dosja "Kryeziu", drejt Krimeve të Rënda

Zhdukja e Ismet Kryeziut mund të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Avokati i familjes Kryeziu, Idajet Beqiri, tha dje për gazetën "Shqip" se faktet e reja të paraqitura nga Anila Leli kanë sjellë një ndryshim të akuzës nga largim nga banesa në rrëmbim personi. Vepra është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas avokatit, policia po kryen procedurat dhe rrëmbimi i Kryeziut mund të regjistrohet si procedim penal në sektorin më të rëndësishëm të prokurorisë. Ajo reagoi dje zyrtarisht, teksa pohoi se ende nuk është njohur me dosjen dhe se faktet e paraqitura deri tani nuk plotësojnë elementët e veprës penale për transferimin e çështjes. Gjithsesi, Policia e Shtetit është angazhuar tërësisht që të mos të ketë "nëpër këmbë" një tjetër "Remzi Hoxha". Dhjetëra oficerë të antiterrorit po kryejnë hetime në Shqipëri dhe Kosovë. Madje në Kosovë është verifikuar edhe një borxh që dyshohej fillimisht se ishte i vetë Ismet Kryeziut. Nga të dhënat e familjes, por edhe të policisë, mësohet se borxhi është i dhëndrit të tij, i cili punon administrator në një firmë në Kosovë. Por borxhi nuk ka asnjë lidhje me të zhdukurin. Hetuesi e antiterrorit kanë marrë në pyetje familjarë të Ismetit në Kosovë, nga të cilët është mësuar se nuk ka asnjë motiv që ai të jetë rrëmbyer. Ata deklaruan për policinë se i "zhdukuri", zotëron një pronë me vlerë gjysmë milioni euro në Prizren të Kosovës dhe nëse do të kishte borxh, atëherë mund të shiste një pjesë të truallit, për ta shlyer.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama