Zgjedhje psikologjike apo mposhtje e vetmise?

Zgjedhje psikologjike apo mposhtje e vetmise?
Më 14 tetor të vitit 2012, australiani Feliks Baumgartner, vendosi rekordin botëror të hedhjes me parashutë. Hedhja u performua në hapësirë, 39 kilometra mbi tokë. Shpejtësia e rënies ishte 1.342 kilometra në orë. Baumgartner është i famshëm për natyrën e rrezikshme të sfidave që ka kryer gjatë gjithë karrierës së tij. Marrja përsipër e një rreziku të tillë është një akt që del kundër instinktit tonë mbrojtës. Çfarë i bën njerëzit si Baumgartneri të shkojnë në ekstreme të tilla, që mundet t’i kushtojnë edhe jetën?

Mendohet rëndom se pjesëmarrësit e sporteve ekstreme karakterizohen nga negativiteti, si për shembull vetmia, të qenët i paqëndrueshëm, dëshira për të ndërmarrë përsipër rreziqe të panevojshme dhe mungesa e përgjegjshmërisë.

Megjithatë, studimet psikologjike mendojnë se ky mit mbi personat që i dashurojnë sportet ekstreme, mund të jetë i gabuar. Studiuesit Erik Brimer dhe Lindsei Odes bënë një intervistë studimore mbi 15 pjesëmarrës, të cilët në kohën e lirë merreshin me sporte ekstreme, si ngjitja e maleve pa pajisje mbrojtëse, sërfi i valëve shumë të larta, kërcimi mbi ndërtesa dhe lundrimi i lumenjve të rrëmbyer me kajak.

Studimi eksploroi se çfarë mund të mësohet prej sporteve ekstreme për kurajën dhe modestinë, dy aspekte pozitive psikologjike. Rezultatet treguan se modestia dhe kuraja janë dy cilësi të domosdoshme për të qenë pjesë e një sporti ekstrem që ka lidhje direkte me frikën dhe vdekjen. Një nga gjetjet e tyre më të mëdha, ishte se pjesëmarrësit e sporteve ekstreme i lidhnin eksperiencat e tyre në sport me transformime pozitive në fusha të ndryshme të jetës.

Sipas psikologut Majkëll Bain, sportet ekstreme i ndryshojnë njerëzit që marrin pjesë në to. Hedhjet nga lartësitë e mëdha, për shembull, mund t’i bëjnë njerëzit të ndihen si të pavdekshëm. Kjo mënyrë e të menduarit mund të japë efekte pozitive në kuptimin e përgjithshëm të jetës. Frika vjen si përgjigje ndaj rrezikut dhe shërben për qëllime mbrojtëse, duke na sinjalizuar për kërcënimet dhe duke na përgatitur të përballemi me to. Ajo është pjesë e mekanizmit të mbijetesës, me të cilin të gjithë jemi të pajisur. Të vësh jetën në rrezik pa pasur asnjë përfitim të saktë, është në dukje jo logjike nga shumë këndvështrime.

Nga ana tjetër, është normale ndërmarrja e një rreziku që i shërben mbrojtjes së vetes apo të tjerëve, në situata të vështira. Evolucioni human i ka programuar gjenet tona që të bëjnë aktivitete, të cilat rrisin mundësitë për mbijetesë, ndaj është e zakonshme, që veprime të kundërta me këtë teori, t’i quajmë anormale. Për pjesëmarrësit e sporteve ekstreme rëndësi ka shkatërrimi i reagimit të zakonshëm ndaj frikës dhe dalja kundër instinktit natyror. Ekspozimi i përsëritur ndaj situatave që të ngjallin frikë, mund të sjellë familjarizim me rrezikun dhe gradualisht krijimin e një emocioni pozitiv. Pas përballjes së vazhdueshme me eksperienca të frikshme, përgjigjja ndaj frikës fillon të pakësohet.

Kjo është arsyeja përse disa njerëz janë gjithnjë në kërkim të aventurave të reja. Pavarësisht kësaj dëshire të madhe për adrenalinë, sportistët janë gjithnjë në dijeni të rrezikut që marrin përsipër në çdo rast. Edhe pse frika është e lidhur me gjenet tona të mbrojtjes nga rreziku, përgjigjja emocionale ndaj saj është individuale. Për shkak të krijimit të një lloj imuniteti ndaj frikës, personat që praktikojnë sportet ekstreme e perceptojnë frikën si një ndjesi pozitive.

Truri ynë është i pajisur edhe me mekanizëm të kundërt të frikës, i cili aktivizohet kur bëhemi pjesë e një eksperience të përsëritur ekstreme. Neopsikologët arsyetojnë se gjatë sportit ekstrem në tru çlirohet dopaminë, kjo lëndë luan një rol shumë të rëndësishëm në motivimin e trurit dhe ngre nivelet e ndjesisë së mirë. Për këtë arsye, gjatë përvojave të rrezikshme, sinjalet e frikës mposhten prej dopaminës dhe çlirimi i një sasie të konsiderueshme të saj krijon një ndjenjë optimizmi dhe lumturie.

Dopamina është sinjali më i rëndësishëm nervor që përfshihet edhe tek eksperiencat e drogës, efekti i së cilës është varësia. Nga ana tjetër, psikologët heqin një vijë paralele midis efekteve të frikës dhe atyre të eksperiencave të hidhura, si për shembull mbijetesa në një aksident apo edhe sëmundjet e rënda.

Në të dyja rastet, personat që ushtrojnë këto aktivitete ekstreme, janë të prirur ta mposhtin ndjenjën e frikës dhe të reagojnë në një mënyrë më optimiste, duke rritur mundësitë e suksesit. Kështu që sportet ekstreme i drejtojnë të pasionuarit pas tyre për nga zhvillimi i shumë aspekteve të jetës. Shpesh aktivitetet ekstreme i bëjnë njerëzit të mendojnë se janë të varur ndaj tyre, truri ynë nuk bën dallim mes shkallës së rrezikut të veprimeve ekstreme dhe, për shembull, rënies në dashuri. Ajo që ka rëndësi për trurin është se çfarë rezultati jep aktiviteti në fjalë për çlirimin e sinjaleve nervore që çojnë në shuarjen e ndjenjës së frikës. A janë të çmendur pjesëmarrësit e sporteve ekstreme? Harrojini mitet e gabuara mbi personat që ushtrojnë sporte ekstreme, ata janë të trajnuar më së miri për t’u përballur me rrezikun, përndryshe si do të mund të jetonin aq gjatë? Këta sportistë kanë një shprehje të famshme mes tyre: “Të qenët i sigurt është një lloj vdekje”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama