Zeri Amerikes Pse nuk hapen dosjet e komunizmit ne Shqiperi

'Zeri Amerikes': Pse nuk hapen dosjet e komunizmit ne Shqiperi

Përfaqësuesi i Institutit të Kujtesës Kombëtare të Polonisë, Kristof Persak shpjegoi përpjekjet që po bën vendi i tij për t’u shkëputur nga e kaluara komuniste, duke shqyrtuar një pjesë të madhe të dosjeve të shërbimeve sekrete dhe duke bërë hap pas hapi lustrimin e tyre, me pengimin e ish-agjentëve të regjimit të kaluar për t’u bërë pjesë e administratës së tanishme.

“Instituti i Kujtesës Kombëtare të Polonisë u krijua në vtin 2000, pra, 10 vjet pas tranzicionit. Tani po studion mijëra dosje nga e kaluara komuniste të sistemuara në dhjetëra kilometra arkiva, ku ruhen qindramijëra dosje dhe dokumenta. Ligji polak parashikon që dosjet t’u vihen në përdorim studiuesve dhe gazetarëve dhe ndërkohë ky institut i pavarur, – tha zoti Persak, – verifikon mijëra emra nga punonjësit e administratës të të gjitha niveleve nga presidenti deri tek kryebashkiakët nëse kanë qenë të përzierë me krimet e regjimit komunist apo atij nazist”.

Deputetja Mesila Doda është një nga protagonistet kryesore të lëvizjes studentore antikomuniste të viteve 90.

Së fundi ajo dhe veprimtarë të tjerë propozoi një projekt-ligj për hapjen dhe lustrimin e dosjeve, i cili u shmang nga ligjvënësit.

Ajo është e zhgënjyer se si sot pas 25 vjetësh dosjet nuk janë hapur dhe bashkëpunëtorët e sigurimit famëkeq të shtetit ende ata nuk po ndalohen të përfshihen në administratën shtetërore dhe e gjithë shoqëria ende nuk është ndarë nga e kaluara komuniste, madje ende nuk është krijuar as komisioni për hapjen e dosjeve.

Veprimtarët e të drejtave njerëzore pohojnë se lustracioni është e vetmja mënyrë për tu ndarë nga e kaluara dhe për të krijuar një të ardhme tjetër.

Parlamenti shqiptar sapo ka miratuar një ligj për hapjen e dosjeve për arsye studimore, i cili nuk parashikon lustrimin.

Diktatura komuniste dhe shërbimi i saj sekret vrau, burgosi dhe përndoqi dhjetëra mijëra kundërshtarë politikë.

Sot pas 25 vitesh, ish të burgosurit politikë po marrin vetëm disa dëmshpërblime për burgimin e padrejtë, por asnjë persekutor dhe informator i tyre nuk ka marrë asnjë ndëshkim apo pengim në karrierën administrative.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama