Një sërë zbulimesh të rëndësishme kanë dalë nga gërmimet arkeologjike të një projekti në gjurmët e qytetit mesjetar të Lezhës. Prej tre javësh arkeologët e kanë përqendruar punën e tyre në kalanë e Lezhës, në hapësirën e së cilës është zbuluar një hapësirë e konsiderueshme varrezash. Ajo ndodhet përqark kalasë dhe është dëshmi e zhvillimit mesjetar të këtij qyteti. Sipas Etleva Nallbanit, pedagoge pranë shkollës franceze në Romë dhe drejtuese e projektit për zbulimet arkeologjike në kalanë e Lezhës i quajtur "Zhvillimi i Lezhës mesjetare", zbulimet gjatë kësaj kohe kanë qenë shumë interesante dhe kanë tërhequr edhe vëmendjen e arkeologëve francezë. Nallbani shprehet se kanë arritur të zbulojnë shtrirjen e varrezës që nga shekulli i gjashtë e deri në periudhën otomane. "Aktualisht zbulimet tregojnë se jemi në periudhën e varrezave të mesjetës së hershme. Varreza është e organizuar me varre të tipave të ndryshme, ku disa janë monumental me dhoma dhe të tjerë në formë arke me rrasa guri ose mure. Varrimet përmbajnë veshje, armë dhe vegla pune", - shprehet Nallbani. Por varreza nuk është i vetmi zbulim që arkeologët kanë mundur të nxjerrin në dritë gjatë kësaj kohe gërmimesh.
Po në këtë zonë, në anën veriore të varrezës janë gjetur rrënojat e një kishë katolike e shekullit të tetë. Kohës i ka mbijetuar vetëm shtresa e parë e saj, ndërsa Nallbani shprehet se duke u nisur nga arkitektura e brendshme ajo konsiderohet e stilit perëndimor, e pajisur me afreske në një periudhë të dytë. Në të janë gjetur edhe pllakat e ikonostasit. Gjithashtu, janë gjetur edhe elementë që lidhen me kryqëzatën e tretë që i përket vitit 1285. Po kështu, është identifikuar edhe pjesa e banesave në periudhën mesjetare. Gërmimet në to sapo kanë filluar, por zbulimi i plotë do të ngelet për vitin e ardhshëm. "Po studiojmë edhe popullsinë e qytetit nëpërmjet studimeve arkeo-antropologjike të banorëve të mesjetës", - shprehet Nallbani, ndërkohë që profesor Lul Bushet po merret me studimin antropologjik të banorëve të popullsisë. Sipas Bushet, qëllimi është studimi i përbërjes së popullsisë, regjimit të të ushqyerit, aktivitetin e tyre, punën që kanë kryer etj. Ndërsa më interesantja sipas tij, është gjetja e një koke të prerë me shpatë. Në këto varreza janë gjetur eshtra, kafka etj. Ndërsa Etleva Nallbani merret me studimin e këtyre të dhënave, zhvillimin kronologjik krahinorë të varrezës, ndarjet krahinore dhe strukturën sociale. "Zhvillimi i Lezhës mesjetare" është një projekt disavjeçar që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është viti i tretë që arkeologët gërmojnë në qytetin e Lezhës, të mbështetur nga Ministria e Edukimit të Kërkimeve Shkencore dhe Qendra Nacionale e Kërkimeve Shkencore në Francë, Universiteti i "Nëne Terezës" në Romë, Instituti Arkeologjik i Tiranës dhe Bashkia e Lezhës. Etleva Nallbani shprehet se studimi do të vazhdojë në disa zona të tjera ku ka qenë e shtrirë Lezha mesjetare, në kërkim të fakteve të reja.
Marre nga : Gazeta Ballkan











