Zbulohen te panjohurat per Ali Pashe Tepelenen

Zbulohen te panjohurat per Ali Pashe Tepelenen

Një nga kuriozitetet më të debatueshme mbi figurën shumëdimensionale të Ali Pashës,do të diskutohet së shpejti në mediat shqiptare nga studiuesi Auron Tare. Tare thotë se “shumë legjenda dhe histori kanë qarkulluar prej vitesh për fatin e trashëgimisë që la pas Pashai i famshëm shqiptar pas vrasjes së tij në Janinë.

Por me sa duket 1469 dokumente nga arkivi personal i Ali Pashës kanë shpëtuar dhe janë trashëguar nga një prej familjeve greke të Janinës që kanë pasur marrëdhënie me pushtetin e Aliut”.

Dokumentet të cilat mendoheshin të humbura janë blerë nga një manjat i pasur grek ne vitet 30-të dhe me vdekjen e tij këto dokumente i janë lënë në trashëgim Shkollës Amerikane të Athinës në vitet 40, ku prej vitesh ato kanë qenë një nga thesaret e pa shfrytëzuara të arkivit të pasur të këtij institucioni.

Arkivi personal i Aliut prej vitesh ka qenë i pa njohur për studiuesit e shumtë por falë një pune prej 30 vjetësh të Profesorit të njohur Vasili Panajotopulis, tashmë këto dokumenta sjellin ngjarje dhe informacione të pa njohura më parë mbi jetën dhe politikën e Ali Pashës në drejtimin e një shteti multietnik dhe multireligjioz.

“Këto dokumente që shpalosin jetën e Shtetit të Aliut kanë një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për historinë e Greqisë së veriut gjatë periudhës otomane, por në radhë të te parë për historinë e trojeve shqiptare. Kontributi shkencor i Profesor Panajotopulos për ndriçimin e periudhës së Aliut, është i jashtëzakonshëm duke bërë të mundur njohjen në detaje të jetës së vrullshme të pashait Shqiptar”përfundon Tare ,mbi të papriturat e këtyre dokumenteve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama