Kostandin Xhuvani nuk do të kryejë burgim të përjetshëm, pasi Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e avokatit të tij për gjykim të shkurtuar, pas akuzës për masakrën të ndodhur në një lokal nate në Tiranë ku mbetën të vrarë 4 persona.
Në seancën e sotme, trupa gjyqësore, pasi ka dëgjuar dhe shqyrtuar kërkesën, ka vendosur ta pranojë atë. Në këtë mënyrë, djali i ish-deputetes socialiste, Luiza Xhuvani, i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm pas një masakre të tillë, ku tashmë do të gjykohet në shkallët e tjera të gjyqësorit deri në vendimin final.
Xhuvani akuzohet për vrasjen e katër personave në lokalin “Ante Grand” në Tiranë në 4 nëntor. Viktimat e masakrës ishin: Edison Jaho, Enea Xhaj, Arbër Demiraj dhe një shtetas italian, Giampaolo Azzolo.
Me akuzat e ngritura ndaj tij, tashmë pas pranimit për gjykim të shkurtuar, Xhuvani rrezikon minimumi 20 vjet dënim.