Ishte një këngë e vjetër dhe nuk më pëlqeu modeli", - shprehet ai, duke i qëndruar vlerësimit që i ka bërë këngës që mori çmimin e parë. Edhe pse vota e tij dhe e Gjergj Xhuvanit ka ngjallur mjaft debate mes organizatorëve, Skënderaj e quan vlerësim real dhe të drejtë në pozicionin që u kishin caktuar si anëtarë të jurisë. Ndërkohë që Agim Krajka, Gjergj Leka, David Tukiqi dhe Baton Haxhiu dhanë 12 pikë maksimale për këngën "Jeta kërkon dashuri", Rudina Magjistari e ka vlerësuar me 9 pikë dhe i papritur ka qenë vlerësimi me 0 pikë i Xhuvanit dhe Skënderajt. "Kënga që vlerësova maksimalisht dhe që u zgjodh në vend të parë më pëlqeu. Ajo është një vajzë e re, e panjohur, me një vokal shumë të mirë. Olta Boka përcolli emocione jo vetëm te mua, por tek e gjithë salla dhe kjo ishte e dukshme. Por te ne vlerësime të tilla ngjallin habi, pasi janë mësuar që gjithçka të jetë monopol dhe sa herë fitojnë të njëjtët artistë. Më kanë ardhur shumë mesazhe dhe të gjithë më kanë uruar duke më thënë: - Bravo për guximin që pate".
Monopolet
Alban Skënderaj e quan monopol rrethin brenda të cilit zhvillohet Festivali i RTSH-së. Madje akuzave të kompozitorit Edmond Zhulali, i cili është edhe drejtori artistik i festivalit, i përgjigjet me faktin që ai nuk duhet të ishte fare pjesëmarrës në këtë festival për konflikt interesi. "Është turp që drejtori i një festivali, i cili e zgjedh vet jurinë, të ankohet se kënga e tij nuk u vlerësua dhe nuk fitoi çmimin e parë të festivalit. Ky është absurditeti më i madh. Boll i bëmë gjërat me manipulime dhe modifikime. Ka ardhur koha që të jepet vlerësim artistik. Duhet të ketë më shumë njerëz si unë dhe Gjergj Xhuvani për të pasur guximin të thonë të vërtetat", - është shprehur për Gazetën Skënderaj, i cili duket se e kishte parandierë një konflikt të tillë. Në një intervistë dhënë dy ditë para festivalit për Gazetën, ai u shpreh se ishte e sikletshme të jesh në juri. Kur thoshte këtë, i referohej njohjes me këngëtarët konkurrentë. Ndërsa në natën finale të festivalit, ai deklaroi se nuk do të ishte më pjesë e ndonjë jurie. "Nuk pata asnjë influencim. Në të kundërt, nga gjithë ato që përfliten, dhashë gjykimin tim artistik. Unë nuk kam asnjë lloj interesi në këtë mes. Karriera ime ka nisur dhe është formuar në mënyrë të pavarur, larg këtij rrethi mediokër, larg ndikimeve dhe jo si një prodhim i TVSH-së", - thekson më tej Skënderaj, duke aluduar për manipulime nga ata që akuzojnë.
Marre nga : Balkanweb.com











