Xhaz dhe kulinari ne nje festival pa ndrojtje

Xhaz dhe kulinari, ne nje festival pa ndrojtje

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Jazz, 21-26 korrik, rikthehet edhe këtë vit për publikun shqiptar në Tiranë, Elbasan, Sarandë dhe në Shkodër. Pjesëmarrja e artistëve nga bota do të ndihet edhe në edicionin IV. Netët e jazz-it do të zhvillohen në ambiente të hapura, në kopshtin e Hotel Rognerit, ku bileta kushton 700 lekë. Qëllimi i Tirana Jazz Festival, sipas drejtorit artistik të festivalit Gent Rushi, është edukimi i publikut me jazz, duke u mundësuar atyre, që të mos rrinë vetëm brenda kuadrateve, por ta shijojnë pa ndrojtje atë. Kësaj here artistët do të prezantojnë për publikun, ndërthurje stilesh. Sipas Rushit, karriera e tyre në skenat ndërkombëtare përkrah artistëve më të mirë vërteton dhe cilësinë e muzikës, që grupet muzikore do të përcjellin përgjatë këtyre netëve për publikun shqiptar.

Gent, Tirana Jazz & World Music Festival hapet sonte. Vazhdon të ketë për qëllim vetëm publik të zgjedhur?

Ndonëse është krijuar stereotipi, se jazz-in mund ta shikojnë vetëm intelektualët, por si çdo vit festivali i jazz-it është i hapur për të gjithë njerëzit.

Cila është risia e këtij edicioni?

Kësaj here, si risi është shtuar pjesa e kulinarisë, pra do të jetë një ndërthurje e muzikës jazz, që shoqërohet me kulinari të vendeve të ndryshme.

Por çfarë mund të na thoni, përsa i përket nivelit artistik të grupeve të jazz-it, që do të jenë përgjatë datave 21-26 korrik?

Në fakt ky është Tirana Jazz & World Music Festival, jo vetëm jazz. Janë disa formate që bëjnë një lloj demotivimi të zhanreve muzikore, që i afrojnë dhe zhanre të tjera, duke u dhënë një format të vetëm. Kjo është ideja fillestare, që i shtohet dhe fakti se njerëzit duhet të mos ndihen të përjashtuar dhe nëse nuk kanë ndonjë kulturë të madhe muzikore. Ata duhet të përfshihen brenda saj, të hapen sa më shumë, aq sa edhe t’u zgjohet interesi për jazz-in. Në bazë të kësaj ideje është bërë dhe përzgjedhja e grupeve të jazz-it kësaj here. Qoftë dhe të grupeve të jazz-t, ku jazz-i nuk vjen vetëm si bashkëprodhim, por i ndërthurur me stile të ndryshme muzikore. Vjen i pranishëm dhe më të tjera stile, jo vetëm një njësi. Kjo bën atë që masa të shkëputet nga mendimi se jazz-i është muzikë vetëm për intelektualë. Pavarësisht formimit apo backegraund-it grupet që janë këtë vit do të japin diçka të mirë për publikun e Tiranës, por atë të rretheve. Muzikantët që vijnë nga jashtë vendit janë me karrierë të pasur ndërkombëtare, sepse kanë interpretuar përkrah emrave më të mëdhenj në Europë. Publikut tonë ka nisur që t’i serviret muzikë e mirë. Grupet muzikore servirin muzikë të kultivuar. Pra ideja është që publiku të shkojë për të përfituar gjëra të mira, pa menduar se do të ndihen inferior.

Viti i dytë që zhvillohet dhe në rrethe, por përse vetëm Saranda, Elbasani dhe Shkodra?

Këto bashki kanë qenë të hapura, prandaj në këto rrethe është krijuar mundësia që të bëhet diçka. Vjet ka qenë edhe Fieri, madje grupi shqiptar nuk e prezantoi muzikën e vetë në skenën zyrtare të Tiranës, por në Fier.

Sivjet grupi shqiptar përfaqësohet nga Ermal Rodi (sax), Emiljan Dhimo (drums) në bashkëpunim me artisin grek Lakis Tzikmas-c, (bas dhe kitarë). Çfarë sjellin ata të veçantë?

Ky projekti është i Ermalit. Muzika që ata do të luajnë është muzika e tij. Prandaj, së bashku me instrumentistin tjetër Emiljan Dhimo, i cili është ndër më të kërkuarit në Shqipëri, me pak vështirësi u krijuam kushtet për të sjellë dhe instrumentistin me përvojë nga Selaniku, Lakis Tyimkas, që do t’iu bashkëngjitet. Ndonëse Ermali është më i riu ndër ta, por është me të dhëna shumë të mira muzikore, një ndër muzikantët më me perspektivë për muzikën e kultivuar në të ardhmen.

Dhe së fundmi, çfarë mesazhi do të jepje nëpërmjet këtyre mbrëmjeve të jazz-it?

Dua të them se, njerëzit duhet që të lënë mënjanë vetëpërmbajtjen në të shijuar dhe të vijnë që t’i ndjekin këto koncerte. Kjo është arsyeja që biletat janë më lirë nga vjet, vetëm për t’ua bërë njerëzve ardhjen më të thjeshtë, duke u krijuar mundësi për t’i ndjekur këto koncerte. Nuk ka të bëjë me përfitimet e festivalit, por me përpjekjen që bën nga viti në vit festivali, për të afruar sa më shumë njerëz. Në këto lloj skenash, një mas e mirë e publikut janë muzikantët, por në Shqipëri nuk e di ende sesi do të jetë.

Gjatë javës në Tiranë, në fundjavë te pushuesit

Organizatori i festivalit Besim Petrela tregon për punën e vështirë që është bërë përgjatë një viti, por që sipas tij do të inaugurohet me mbrëmje të mrekullueshme jazz-i. Ai tregon se bashkëpunimi shqiptaro-grek shkon përtej politikës, për shoqërinë, por dhe me dëshirën që ky udhëtim, në disa rrethe të vendit, do të përmirësojë sadopak thatësirën e jetës artistike dhe kulturore. Jazz klasik, etno-jazz dhe kulinari vijnë enkas për publikun. Ndërsa tema e këtij viti, është mbrojtja e ambientit. Nata “green jazz” ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit.

Besim si është organizuar edicioni 4 Tirana Jazz & World Music Festival ?

Ky edicion do të sjellë mjaft grupe, duke nisur nga Italia, Izraeli, Franca, Turqia, Hungaria, Mali i Zi, Austria, Greqia dhe Shqipëria. Festivali do të zhvillohet nga data 21 deri në 24 korrik te Hotel Rogner, ora 20.30, rreth e qark pishinës, edhe në datë 22 dhe 22 do të spostohet, me një sistem qarkullimi të artistëve, në Elbasan brenda te kalaja. Pas Elbasanit do të udhëtojnë në Shkodër, ndërsa në datë 24-25 korrik grupe të tjera do të shkojnë në Sarandë, në kështjellën e Lëkurësit. Ndërsa në Shkodër do të jenë në pedonale.

Cilat janë objektivat e këtij viti?

Këtë vit kemi dy objektiva. Është “green jazz”, që përfshin pjesë të muzikës jazz, të cilat i dedikohen mbrojtjes së ambientit. Ky është një mesazh për shoqërinë shqiptare për të mbrojtur ambientin, një formulë që e përdorin pothuajse në të gjithë botën. Objektivi i dytë që duam të arrijmë është që të ketë një ndërthurje të kulinarisë me muzikën jazz. Për shembull, mbrëmja e nesërme e grupit turk do të ketë jazz edhe kulinari.

Po përsa i përket udhëtimit të grupeve në rrethe, hyrja a do të jetë falas?

Në rrethe grupet do të performojnë falas. Kjo është arritur falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe bashkive të Shkodrës, Sarandës dhe Elbasanit.

Por çfarë objektivi nuk arritët për këtë edicion?

Zakonisht mediet vizive tërhiqen. Unë do të kisha dëshirë që Televizioni Publik Shqiptar të ishte dhe ta filmonte këtë aktivitet për ta pasur dhe në arkivat e tij. Pranuan që të shkojnë në Sarandë dhe nuk pranuan që të xhirojnë në Tiranë, këtu ku janë të gjithë grupet. Do të jetë një ëndërr shumë e bukur. Më vjen keq që në vend që ta gjurmonin, sepse janë tetë grupe me kolorit dhe jazz, bluz dhe me etnik jazz, nuk indinjohen. Vitin tjetër do doja të kisha një media vizive.

Vera e nxehtë, si ndikon në festivalin e jazz-it në Shqipëri?

Ditët e verës i zgjedh enkas, por në Tiranë i zgjedh gjatë mesit të javës, sepse në fundjavë boshatiset. Shumica janë në Tiranë, prandaj ne nisim qysh sot deri të premten me mremje jazz-i, në fundjavë do të shkojmë atje ku është pushuesi.

 

1 kolonshi

Sonte “Lylit trio” dhe “Two guitars”

 

Dita e parë e programit (21 korrik) në Tirana Jazz fillon në grupin austriak “Lylit trio” me lider Eva Klampfer, në piano dhe në vokal dhe “Two guitars” nga Mali i Zi. Natën e dytë është e ftuar artistja turke, Mircan Kaia. Në vazhdim (23 korrik) artistët shqiptarë Ermal Rodi (sax) dhe Emiljan Dhimo(drums) vijnë në bashkëpunim me artistin grek Lakis Tzimkas (bas dhe kitarë), dhe “East 2 East” nga Hungaria. Më 24 korrik do të performojnë për publikun kryeqytetas grupi izraelo-francez Inbar Fridman dhe Enzo Favata “Inner roads”, nga Italia. Pra janë tetë grupe që do të shoqërojnë publikun shqiptarë gjatë ditëve të javës, për të vazhduar më pas në Elbasan, Sarandë dhe Shkodër.

“Lylit trio”, Austria

Nëse do të dëgjoni Lylit do të mbeteni të habitur sesi brenda shpirtit të saj ka këngën e ungjillit, jazz-in klasik dhe natyrisht, shpirtin. E lindur në Austri me prirje muzikore të intriguara, kërkon që të arrijë sa më shumë nga ajo që është e mundur. Ajo që ka rezultuar është befasuese: ka një vokal me korda shumë të mirë melodikë, por është një pianiste, e cila ka provuar me sukses dorën e saj dhe në kitarë e violinë.

“Two guitars”, Mali i Zi

Muzika e tyre përfaqëson një përzierje unike të ritmeve të parregullta të Ballkanit, bukurinë e Mesdheut dhe misticizmin oriental. Darko Nikcevic (1971) është një kitarist ‘flamenco’ dhe kompozitor. Ai punon në Akademinë e Muzikës në Cetinje, si kreu i laboratorit “Electroacoustic” dhe si profesor i Teknologjisë së Muzikës. Ai ka marrë pjesë në koncerte të shumta në Mal të Zi, Serbi, Kroacia, Sllovenia, Maqedoni, Greqia, Rusi, Spanjë etj. Srdjan Bulatoviq (1972) ka filluar të luajë kitarë kur ai ishte tetë vjeç në klasën e profesorit Miodrag Cupic, kur përfundoi shkollën fillore për muzikë kishte si fokus të tij kitarën klasike. Ai është diplomuar në Akademinë e Muzikës. Ka qenë anëtar i orkestrave të ndryshme si: në Mal të Zi dhe jashtë vendit, Serbi, Kroaci, Slloveni, Itali, Hungari etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama