Vrau dy vellezerit dorezohet ne Kamez

Vrau dy vellezerit, dorezohet ne Kamez

Dorëzohet Esat Dushaj. Dorëzohet pasi ka mundur të gjejë “mik” në Policinë e Tiranës dhe t`i premtojë se, nëse i premtohet se nuk vritet, do të dorëzohet vetëm aty! Rreth një orë para se autori i masakrës së Drishtit të vinte në Kamëz, aty edhe ky është dorëzuar, Policia e Shtetit bëri me dije se ka hedhur në terren, gjithnjë në Tiranë, policinë për të bërë të mundur ndalimin e personave me precedentë të rëndë kriminalë. Në fakt, policia nuk ka mundur të sjellë asnjë person tjetër në pranga veç vrasësit të vëllezërve Shkambi që ishte nisur të dorëzohet pikërisht tek kjo polici. Të dhënat e para flasin se transporti i tij është kryer me autobus të linjës Shkodër-Tiranë, nisja e të cilit çuditërisht bëhet në Shkodër, pra në qytet dhe jo në zonën e Mazrekut ku edhe është parë dy ditë më parë Dushaj. Njëkohësisht bëhet me dije se përveç fakti që ai ka mundur të kontaktojë punonjës policie, autori i vrasjes, momentin e takimit me Policinë e Shtetit në Kamëz, ka qenë i shoqëruar nga dy persona. Policia mban sekret jo vetëm emrat e dy shoqëruesve të tij, por edhe të policit “mik” me vrasësin, i cili ka negociuar me të që të dorëzohej dhe të mos vazhdonte më arratinë!!!

 Dëshmia

Ka zgjatur më shumë se 48 orë arratia e 30-vjeçarit Esat Dushaj, i cili ekzekutoi në pragun e shtëpisë dy vëllezërit, Abdulla dhe Skender Shkambin, ngjarja kjo e ndodhur në periferi të qytetit të Shkodrës. “Dua garanci për jetën, por kam frikë se do t’më vrasin forcat RENEA me snajper”. Kjo ka qenë kërkesa e vetme e Dushaj për t’u dorëzuar pas krimit të dyfishtë. Policia e Tiranës, bëri të mundur nëpërmjet një oficeri të saj, të negociojë me vrasësin dhe më pas dorëzimi dhe prangosja e 30-vjeçarit. Zyrtarë të policisë së kryeqytet pohojnë se, arrestimi i vrasësit u bë në qytetin Kamzës, ndërsa efektivi i policisë, i cili negocioi është një i njohur i 30-vjeçarit. Nga ana tjetër, Esati kishte frike të qëndronte edhe në komisariatin e Policisë së Shkodrës për shkak të një hakmarrje të mundshme nga familjarët e viktimave dhe për këtë arsye u vendos edhe transferimi i tij për në drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dushaj, ishte shpallur në kërkim prej mesditës së të shtunës, ndërsa për kapjen e tij janë angazhuar më shumë se 100 trupa policore të mbështetur edhe nga ajri me helikopter dhe trupat e Forcave Speciale të repartit RENEA.

Vrasja   

Sipas të dhënave që vijnë nga fshati Drisht, vend ku edhe ka ndodhur krimi i rëndë dhe i paprecedent, mësohet se pak para vrasjes makabre, dy vëllezërit Abdulla dhe Skender Shkambi e kanë takuar Esat Dushajn. Djali ka biseduar ashpër me ta në lidhje me mos sjelljen e vajzës së Skenderit në Shqipëri. Në fakt vajza prej më shumë se dy vitesh ishte larguar nga Shqipëria pikërisht për këtë shkak, ku sipas të dhënave i bie që vajza të ketë qenë në atë kohë 17 vjeçe. Prej asaj kohe, Esati ka vijuar të kontaktojë të atin e saj, i cili gjendet në Britani prej shumë se 10 vitesh bashkë me familjen e tij, por pa mundur të marrë një përgjigje pozitive në lidhje me krushqinë e pretenduar. Ata kanë komunikuar edhe me datën 31 dhjetor në telefon me Skender Shkambin, të cilit i ka kërkuar llogari se përse nuk e kishte sjellë të bijën pasi ai do të fejohej me të. Sipas të dhënave të policisë, të dhëna që janë siguruar nga dëshmitë e familjes së viktimave, Skenderi ka vendosur ta takojë, ndonëse ai në bisedën e tij në telefon i kishte thënë se do ta vriste për këtë shkak. Takimi me datë 2 janar, mësohet se është bërë në lagjen ku banojnë vëllezërit Shkambi, ndërsa nuk kanë rënë në ujdi me të. Ai sërish ka këmbëngulur për ta marrë vajzën e Skenderit, pikërisht vajzën që donte, por Skenderi ka refuzuar jo vetëm se nuk do të mund të thyenin rregullin e që të martohen brenda fshatit, por edhe për shkak të karakterit të dukshëm kriminal të Esatit. Nëna e dy djemve Shkambi, e cila mësohet se është e sëmurë, banonte në afërsi të familjes së Esatit, madje i ndante një rrugë. Abdullai dhe Skenderi pasi kanë pirë kafenë në barin e lagjes janë nisur në drejtim të shtëpisë së nënës së tyre, duke mos menduar se Esati kishte ikur para tyre në shtëpi, ishte armatosur dhe ishte nisur në drejtim të lokalit ku kishte lënë vëllezërit Shkambi. Ai i ka parë në rrugën e vetme që lidh dy lagjet dhe aty ka qëlluar me breshëri ndaj tyre duke i lënë të vdekur në vend.

Vrasësi, një person me precedentë   

Esat Dushaj, 30-vjeçari që përgjaku fshatin e lindjes duke iu marrë jetën dy fqinjëve pas një sherri verbal për mosdhënien e dorës së vajzës, mësohet se është një person problematik. Ai jetonte vetëm me të atin, që sipas të dhënave është i sëmurë dhe një vëlla, të cilin nuk e ka në Shqipëri. Esati mësohet se prej kohësh ka refuzuar afrimitetin e kushërinjve të tij për ta punësuar dhe për të qëndruar afër me ta dhe viteve të fundit është parë të jetë nën shoqërinë e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas të dhënave që vijnë nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se Dushaj është një person për të cilin kanë nisur njëherë hetime dhe madje edhe është kërkuar të vihet në përgjim nga ana e prokurorisë. Sipas të dhënave shkodrani është pikasur në shoqërinë e Gjin Nikës, personit që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në dalje të Fushë-Krujës, rreth dy vite më parë. Njëkohësisht sipas të dhënave të policisë bëhet e ditur se prej shumë kohësh, Esat Dushaj gjendej në shoqërinë e atij që u konsiderua nga policia si vrasës me pagesë, prej shumë kohësh, ndërsa ka dyshime për lidhje edhe me persona të tjerë të akuzuar për vrasje. Nuk bëhet me dije se në çfarë kohe është arrestuar dhe dënuar Dushaj, por saktësohet se autori i krimit të dyfishtë, kohëve të fundit, veç të tjerave, kishte shfaqur edhe probleme mendore, ndonëse policia tregon se ka komunikuar disa herë me të atin e vajzës që ai pretendonte se donte.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama