Nëna e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë me një sasi eksplozivi në Vlorë ka treguar për emisionin ‘Xhungël’ në News24 se ka komunikuar me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri rreth vrasjes së djalit të saj. Gruaja tregon se ka kërkuar nga Tahiri që të gjenden vrasësit e djalit të saj, ndërsa komunikimi është bërë pas eksplozivit në farmacinë e babait të Saimir Tahirit.
Mamaja e Skerdilajd Konomit ka treguar për emisionin e gazetarit Artan Hoxha se i kishte dërguar një mesazh ministrit Tahiri duke i thënë: “Këta të tutë i gjete shpejt, gjeji edhe vrasësit e djalit tim”. “I bëra një SMS ministrit dhe më mori në telefon. Më tha që nuk mund të takoheshim, por më shkruaj në email. I shkrova dhe i thashë që emrat e vrasësve të djalit tim janë disa dhe ata lëvizin të lirshëm nëpër Vlorë”, ka rrëfyer mamaja e Skerdilajd Konomit.
Ndërkohë rreth kësaj ngjarje në emision ka folur edhe dëshmitari, i cili ka thënë se ka parë dy persona që ndiqnin prej kohësh gjyqtarin Konomi. “Në momentin që ka ndodhur ngjarja kam qenë në Ujin e Ftohtë. Punoja në ndërtim në një pallat përballë shtëpisë dhe më kujtohet që dy persona janë mbajtur për një javë rresht… kam hedhur dyshime se ata dy persona vëzhgonin shtëpinë e gjyqtarit. Dhe një ditë para ngjarjes, në mbrëmje ata kanë qenë afër banesës së gjykatësit”,tregoi ai. Më tej dëshmitari ka thënë se këta person ai ka parë në media në fotografi kur u arrestua Julian Sinanaj. Ai rrëfeu se gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Vlorës oficerët i kanë treguar dy fotografi, atë të Emiljano Shullazit dhe Gilmano Danit, nëse ishin ata personat që e ndiqnin gjyqtarin.
“Kam parë dy personat qw e ndiqnin. Oficerët e krimeve më sollën vetëm një foto që nuk përputhej me ata dy persona. Më kanë marrë denoncim, dëshminë në Policinë e Vlorës. Më kanë pyetur vetëm me paraqitjen e dy personave. Më pyetën mos kisha parë në atë zonë Emiljano Shullazin. Por unë nuk e kisha parë. Pastaj më sollën foton e Gilmano Danit. Më thanë mos ishte ky personi që kisha parë duke e ndjekur. Por u thash jo që nuk ishte ai. Më thirrën kur erdhi Tonin Vocaj nga Franca, u takova me Tonini dhe më pyeti mos i njohja dy personat”, shprehet dëshmitari.
Ai tregon se i ka parë dy autorët më vonë në Tiranë dhe për këtë ka njoftuar dhe policinë, por ata nuk mundet t’i identifikonin. Më pas ai tregon dhe presionet dhe kërcënimet që i janë bërë për të mos folur.
“Dy personat i kam parë në Tiranë pas ca kohësh me një motor të shtrirë tek Pallati me Shigjeta, por nuk munda t’i marr targën”, thotë ai.
Dëshmitari thekson se ka kërkuar të japë dëshmi në Prokurorinë e Përgjithshme por nuk është pritur. Pas kësaj, ai tregon se i është bërë presion nga dy persona të armatosur. Ata i kanë treguar edhe fotot e vajzave për kërcënim.
“Personat ishin të parkuar para banesës sime dolën me armë dhe më futën në makinë më kanë thënë fjalë për fjalë në qoftë se do të dëshmosh për ato që di nuk do të kemi mëshirë as për ty dhe as për vajzat. Më kanë nxjerrë fotografitë e vajzave, i kishin në celular”, tregon ai.