Vrases seriale Merr fund saga e kerkimeve per Xhek Kasapin

Vrases seriale: Merr fund saga e kerkimeve per Xhek Kasapin

Shkenca zbulon identitetin e vërtetë të Xhek Kasapit, vrasësi serial i të paktën pesë vrasjeve makabre, të kryera në Whitechapel të Londrës lindore gjatë vjeshtës së vitit 1888.  Kjo u arrit falë shkencës moderne mjeko-ligjore, raportojnë mediet britanike.

Përdorimi i ADN-së si pjesë e hetimeve ka arritur të nxjerrë në dritë pa as më të voglin dyshim se cili prej gjashtë të dyshuarve kryesorë është vrasësi i vërtetë. Pasi është analizuar një shall i mbajtur nga Kethrin Edous, një prej viktimave të Kasapit, aty janë gjetur edhe njolla gjaku nga vrasësi, të cilat kanë zbuluar edhe ADN-në e tij.

Zbulimi madhor u bë pasi një biznesmen 48-vjeçar, Rasell Eduards, e bleu shallin në ankand dhe kërkoi ndihmën e doktor Jari Luhelainen, një ekspert i njohur në të gjithë botën për analizimin e dëshmive gjenetike. Luhelainen arriti të shkëpuste materialet gjenetike nga shalli 126-vjeçar dhe t'i analizonte.

Eduards tha: “Kur nisa të përfshihesha në këtë rast 126-vjeçar, isha thjesht një prej shumë të apasionuarve prej kësaj historie, sidomos që prej shfaqjes së filmit “From Hell” në vitin 2001, me Johny Depp. Pas shumë vitesh i lënë në harresë për mungesë provash, shalli ridoli në dritë dhe u provua se kishte qenë pranë viktimës natën e vrasjes së saj, edhe pse shumë ekspertë të çështjes nuk e kishin parasysh më parë. Në Muzeun e Krimeve më thanë se policia kishte pasur që në kohën e vrasjeve një të dyshuar, Aron Kosminski, nje hebre polak i cili kishte emigruar në Londër me familjen për t’i shpëtuar masakrave ruse. Kosminski ishte regjistuar si berber kur ishte futur në Britani. Policia angleze nuk kishte arritur të gjente prova në atë kohë për t’a dënuar dhe e kishte mbajtur nën mbikqyrje deri sa më vonë e kishte mbyllur në spital psikiatrik”.

Eduards arriti të kontaktonte me ekspertin Luhelainen, i cili arriti të dallonte pas shumë analizash se shalli përmbante gjakun e viktimës dhe vrasësit më të famshëm në Angli! Kosminski ishte 23 vjeç kur kanë ndodhur krimet dhe jetonte shumë pranë viktimave, bashkë me dy vëllezërit dhe motrën e tij. Duke qenë se ishte në listën e të dyshuarve, jeta e tij ishte e regjistruar dhe Luhelainen arriti të gjente një pasardhëse të motrës së tij, emrin e së cilës nuk e bëri publike, për të krahasuar ADN-në.

Më në fund, pas shumë spekulimesh se Xhek Kasapi ishte pjesëtar i familjes mbretërore angleze, apo ndonjë politikan i famshëm i kohës, u vërtetua se, siç ndodh rëndom, vrasësi serial ishte një njeri jo publik, me probleme të theksuara mendore.

Në këtë mënyrë u jepet fund spekulimeve për identitenin e Kasapit, të filluara që prej kohës së vrasjeve të tij në një prej lagjeve më të varfra të Londrës. Mes të dyshuarve janë renditur përgjatë këtyre viteve nipi i Mbretëreshës Viktoria të Anglisë, Princi Albert Viktor, piktori postimpresionist, Valter Sikert dhe ish-kryeministri anglez, Ulliam Gledstoun.

Xhek kasapi është padyshim një nga kriminelët më të rrezikshëm i të gjitha kohërave, një rebus i vërtetë që ka intriguar kriminologët për më shumë se një shekull dhe ka qenë frymëzim për botimin e librave, prodhimin e filmave dhe teorive konspirative nga më të çuditshmet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama