Vlore- Projekte per uren e Manastirit te Zvernecit

Kisha e Shën Mërisë Zvërnec 3VLORE, 9 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/.- Dëmtimi i urës që lidh bregun me ishullin ku ndodhet Manastiri i Zvërnecit dhe Kisha e Shën Marisë si pjesë e këtij kompleksi, 10 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës, ka shtruar nevojën e zbatimit të një projekti të plotë që të zgjidhë përfundimisht këtë shqetësim, që lidhet me një nga objektet e kultit më të njohura në vend.

Agim Haxhiraj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, thotë për ATSH-në se, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë hartuar dy projekte alternative, përmes të cilave ofrohen edhe dy zgjidhje respektive definitive. Sipas tij, në projektin e parë, parashikohet që ura të ndërtohet me pilota betoni dhe pjesën e sipërme prej dërrase, sikundër edhe ka qenë, ndërkohë që me variantin e dytë, ura mendohet të ndërtohet me pilota druri, me synim për të ruajtur dimensionin ekologjik të zonës dhe identitetin e këtij objekti.

Kisha e Shën Mërisë Zvërnec 2Në fakt, gjatë viteve të fundit, kjo urë është dëmtuar disa herë, por dëmtimi më rëndë u rregjistrua në muajin shkurt të këtij viti, për shkak të përmbytjeve të zonës si rrjedhojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimit të ujrave të lumit Vjosë. Kjo ngjarje zhvleftësoi edhe investimin që u bë gjatë vitit të kaluar nga Këshilli i Qarkut. "Vitin e kaluar, përmes një projekti të financuar nga Këshilli i Qarkut, me një vlerë prej 10 mijë USD, ura u riparua dhe u bë e kalueshme. Por, sivjet, me përmbytjet e jashtëzakonshme të muajit shkurt, ajo u dëmtua sërish për shkak të ujrave të shumta që vërshuan drejt lagunës, deri në afërsi të Manastirit", thotë Haxhiraj.

Tashmë ura është e pakalueshme dhe funksionin që duhet të kryente ajo e kryejnë dy varka që transportojnë besimtarët dhe vizitorët drejt ishullit ku ndodhen Manastiri "Fjetja e Hyjlindwses" dhe Kisha e Shën Marisë.

Kisha e Shën Mërisë Zvërnec Haxhiraj sqaron se, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka premtuar një fond për riparimin e urës, ndërkohë që të njëjtën gjë po bën edhe Ministria e Kulturës përmes një marrëveshjeje me Kishën Autoqefale të Shqipërisë, që administron ishullin dhe objektet në fjalë.

Ura është ndërtuar në fillim të viteve 1990-të, përmes një financimi nga Kisha Autoqefale e Shqipërisë. Kisha e Shën Marisë dhe Manastiri i Zvërnecit, përfaqësojnë vlera të rralla dhe të papërsëritshme historike e arkitekturore të një periudhe shumëshekullore. Sipas studiuesve, kisha e Shën Marisë e Manastirit të Zvërnecit, është e tipit "kryq i lirë" me kupolë. Restaurimi i fundit i këtij objekti është bërë në vitin 2003.

Për kohën në të cilën është ndërtuar ky objekt kulti, ka mendime të ndryshme. Varianti i parë përcakton si periudhë ndërtimi, shekujt XIII-XIV, ndërsa varianti i dytë e çon edhe më larg hershmërinë e kësaj kishe deri në shekujt X-XI. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama